INSPEKTORATI I KLD

Rreth Inspektoratit

Dy fjalë për Inspektoratin e KLD-së
Cili është funksioni i Inspektoratit të KLD-së?
Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është një strukturë shtetërore, e ngritur me ligj në vitin 1999, që funksionon në varësi të drejtpërdrejtë të KLD-së. Me ligj, Inspektoratit i është ngarkuar përgjegjësia e monitorimit të performancës së sistemit gjyqësor nëpërmjet ushtrimit të inspektimeve, verifikimit të ankesave dhe vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarëve. Veprimtaria e Inspektoratit i shërben KLD-së për të ushtruar funksionet kushtetuese të kontrollit dhe të rritjes në karrierë të gjyqtarëve. Synimi thelbësor i inspektimit të gjyqtarëve dhe i gjykatave është verifikimi i rregullshmërisë dhe i ligjshmërisë së veprimtarisë së gjyqtarëve dhe gjykatave në dhënien, organizimin dhe administrimin e drejtësisë.

Parimet e përgjithshme në bazë të të cilave vepron inspektorati
Inspektorati i KLD-së vepron mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, paanësisë dhe pavarësisë së inspektimit, aksesit të gjyqtarit në procedurën e verifikimit, formalizimit të procedurave dhe të programimit të inspektimeve, ndalimit të ribërjes së një procedure të trajtuar më parë, prezumimit të pafajësisë, tipizimit të shkeljes (proporcionaliteti) dhe trajtimit të njëjtë dhe të barabartë.

Organizimi dhe struktura
Në zbatim të ligjit të saj organik, KLD ka miratuar në vitin 2006 Rregulloren mbi Organizimin dhe Funksionimin e Inspektoratit të KLD-së. Kjo Rregullore lejon mundësinë e organizimit të Inspektoratit në seksione. Deri më 20.012.2012, ky organizim i brendshëm nuk ishte kryer. Me vendimin nr. 302/2, datë 20.12.2012 të KLD-së, Inspektorati është organizuar në dy seksione: atë të vlerësimit profesional dhe etik dhe në seksionin e ankesave dhe të inspektimit. Aktualisht organika e Inspektoratit është 1 Kryeinspektor dhe 15 inspektorë, të cilët në veprimtarinë administrative mbështeten edhe nga administrata e KLD-së.