INSPEKTORATI I KLD

Verifikimi i ankesave

Verifikimi i ankesave
1. Procedura e shqyrtimit të ankesave ndjek dy fazat e mëposhtme:
  1. Shqyrtimi paraprak i ankesave: Ankesa mbërrin tek Zyra e Protokollit, e cila bën regjistrimin në bazë të numrit rendor në Regjistrin e Ankesave dhe e përcjell tek Kryeinspektori. Kryeinspektori cakton inspektorin përgjegjës për shqyrtimin paraprak të ankesës, i cili harton relacionin e shqyrtimit paraprak. Në këtë relacion përshkruhen pretendimet e ankuesit, bëhet analiza e kritereve formale të ankesës (afati apo kompetenca lëndore e Inspektoratit) dhe jepen sugjerime për ecurinë e procesit të ankesës. Në përfundim të kësaj faze, mund të ndodhin dy procedura të ndryshme:
    • arkivimi i ankesës dhe kthimin e përgjigjes ankuesit, për shkak se nuk plotësohen elementët formalë të ankesës. Në këtë rast nuk ka veprime të mëtejshme; ose
    • verifikimi në terren i ankesës, për shkak se plotësohen elementët formal të ankesës, duke u njoftuar edhe ankuesi për verifikimin.
  2. Verifikimi i ankesës Nëse gjatë shqyrtimit paraprak është konkluduar se ka vend për verifikim, nxirret urdhri i verifikimit nga Kryeinspektrorja, ku përcaktohet gjyqtari/ët që do të verifikohen, caktohen inspektorët verifikues, detyrat përkatëse për verifikimin e rastit dhe koha e kryerjes së veprimeve. Inspektorët shkojnë në gjykatë, inspektojnë aktet e çështjes konkrete dhe marrin të dhëna nga personat që kanë dijeni për faktet objekt ankese. Në fillim të këtij procesi, ata njoftojnë gjyqtarin për objektin dhe qëllimin e verifikimit. Në përfundim të procesit të verifikimit dhe pasi kanë mbledhur provat e nevojshme, dy inspektorët përgatisin relacionin për rezultatet e verifikimit të ankesës ku pasqyrohen gjetjet dhe provat, analiza ligjore e fakteve për të konkluduar nëse pretendimet e ankuesit qëndrojnë apo jo. Relacioni verifikohet dhe vlerësohet nga Kryeinspektori. Në përfundim, në relacion jepen sugjerimet, në varësi të shkeljes së konstatuar:
    • Materiali t’i dërgohet Ministrisë së Drejtësisë për të vlerësuar mundësinë e procedimit disiplinor të gjyqtarit nëse shkelja është e rëndë;
    • Gjyqtarit t’i tërhiqet vëmëndja me shkrim pasi shkeljet janë të lehta dhe nuk justifikojnë përshtatshëm një procedim disiplinor. Ky është një akt paralajmërues për gjyqtarin;
    • Rezultatet e verifikimit të regjistrohen për t’u mbajtur në konsideratë për efekt të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit, kur shkeljet janë të lehta dhe lidhen kryesisht me organizimin e punës nga gjyqtari;
    • Rekomandim për gjykatën ku është kryer verifikimi për të ndrequr praktikën e gabuar;
    • Arkivimi i ankesës kur nuk konstatohen shkelje apo kur shkeljet e pretenduara nuk provohen.
    Për përfundimin e procesit të shqyrtimit të ankesës dhe rezultatet e tij, njoftohet gjithmonë ankuesi.

2. Çfarë rezultati pres nga Inspektorati
Inspektorati verifikon veprimtarinë e gjyqtarit për efekte të përgjegjësisë së tij disiplinore dhe për efekte të vlerësimit të tij profesional. Rezultati që pritet nga Inspektorati lidhet me transparencën në veprimtarinë gjyqësore dhe në parandalimin e veprimeve në shkelje të ligjit në të ardhmen.

3. Çfarërezultati nuk pres nga Inspektorati
Zgjidhja e themelit të çështjes gjyqësore i përket ekskluzivisht gjykatave. Inspektorati nuk është vendi ku mund të ankohemi për të fituar procesin gjyqësor.

4. A kam të drejtë tëankohem për veprimet e Inspektoratit?
Po. Inspektori është zyrtar shtetëror dhe çdo pretendim për mospërmbushje të detyrave të kryera prej tij shqyrtohet në rrugë hierarkike.