Njoftim per Media 30.10.2019

Këshilli i Lartë Gjyqësor organizoi sot, në 30 Tetor 2019, takimin e parë koordinues të nivelit të lartë me donatorë dhe partnerë ndërkombëtarë. Ky takim vjen në vazhdimësi të miratimit të Planit Strategjik i cili përcakton prioritetet dhe objektivat e punës së Këshillit për vitet 2019-2020! Pasi u konsultua me gjyqtarët, shoqërinë civile dhe Ministrinë e Drejtësisë, Këshilli kërkoi mbështetjen e partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare që veprojnë në fushën e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, për 3 nga prioritetet kryesore që ka sot drejtësia shqiptare. Këto prioritete lidhen me nevojat për vendosjen e standardeve cilësore të shërbimeve në gjykata, sistemeve moderne të administrimit të çështjeve dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në drejtësi.

Fjala e plotë e Kryetares së KLGJ-së, znj. Naureda Llagami, në aktivitetin “Donor Coordination meeting”

 

Mirëmëngjesi të gjithëve!

 

Të nderuar Ambasadorë,

 

Të nderuar përfaqësues të misioneve të huaja në Shqipëri,

 

Të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare,

 

Të nderuar kolegë,

 

Më lejoni t’ju falenderoj që ju përgjigjët ftesës!

 

Siç e dini, Këshilli ka miratuar një plan strategjik i cili ka përcaktuar prioritetet e Këshillit për vitet 2019-2020 !

 

Prioritete që i kemi diskutuar me gjyqtarët;

 

Me shoqërinë civile;

 

Dhe që i kemi harmonizuar me Ministrinë e Drejtësisë dhe Strategjinë Ndër-Sektoriale të Drejtësisë!

 

Nuk është sekret që Këshilli është përballur edhe do të përballet në këto dy vjet me objektiva afat-shkurtra që lidhen me funksionimin normal të gjyqësorit!

 

Ashtu edhe me objektiva afat-gjata të cilat lidhen me vendosjen e standardeve, sistemeve, dhe mbi të gjitha të besimit tek Këshilli, gjykata, gjyqtari dhe tek drejtësia!

 

Kjo e fundit është edhe më e vështira!

 

Po nuk pretendojmë besim pa dy të parat!

 

Sistemi dhe standardet janë ato që jo vetëm palët por edhe çdo qytetar mund t’i shohë, prekë, masë dhe vlerësojë!

 

Prandaj do të doja të diskutoja me ju sot edhe në vazhdim.

 

Jo nevojat që ka Këshilli!

 

Ne kemi ngritjen e kapaciteteve të Këshillit në strategji, por jo nuk do të diskutojmë për këtë sot!

 

Ju e dini që ne punojmë fort!

 

- 241 vendimmarrje në tërësi;

 

- 40 rregullore dhe akte normative;

 

- 605 kërkesave nga gjykatat vetëm për caktime gjyqtarësh / 890 gjyqtarë të caktuar në çështje të veçanta vetëm në 9 muaj!

 

Dua të diskutoj me ju sot nevojat që ka drejtësia në Shqipëri!

 

Janë 3 prioritete të mëdha:

 

Nevojat për standarde!

 

Nevojat për sisteme!

 

     Dhe jo më pak e rëndësishme, nevojat për akses të qytetarëve në drejtësi!

 

Kur i kemi vendosur këto prioritete në strategji i lejuam vetes të jemi ambiciozë!

 

Ashtu siç ishim të gjithë ambiciozë kur i kërkuam mbështetjen qytetarëve për reformën në drejtësi!

 

Jemi të bindur që përtej vështirësive financiare dhe njerëzore, ne mund të punojmë së bashku!

 

Në emër të Këshillit dua të hapim një praktikë të re!

 

Një bashkëpunim proaktiv i cili do t’ua bëjë edhe ju më të lehtë të na mbështesni aty ku nevojat janë më të mëdha dhe prioritetet janë më madhore!

 

Një pakt përmes të cilit ne angazhohemi të bëjmë punën tonë.

 

Çdo detyrë që na ngarkon Kushtetuta dhe ligji!

 

Por jemi të ndërgjegjshëm që nuk i bëjmë dot të gjitha vetëm. Na ndihmoni të bëjmë më shumë!

 

Na ndihmoni të shkojmë përtej sot!

 

Të bëjmë gjëra të qëndrueshme dhe që mbeten!

 

Deri tani kemi gjetur bashkëpunimin e disa partnerëve:

 

Projekti Drejtësi për të gjithë i USAID;

 

EURALIUS;

 

Këshilli Evropës;

 

Disa nga agjencitë e UN;

 

E të tjerë të cilët nuk po i përmend për shkak të kohës, jo të rëndësisë.

 

Unë dhe kolegët e mi u jemi shumë mirënjohës!

 

Kemi ende shumë nevojë për mbështetjen dhe ekspertizën tuaj!

 

Jo për të bërë ato që ne duhet t’i bëjmë vetë!

 

Po për të rritur cilësinë e drejtësisë, veçanërisht aty ky drejtësia është më e ndjeshme!

 

Një sistem gjyqësor më profesional, më efikas dhe me integritet të lartë është një hap më pranë drejt avancimit të Shqipërisë drejt integrimit në familjen Evropiane!