Vendim Nr.113 datë 9.07.2019

PËR SHPALLJEN E RIHAPJES SË PROCEDURËS PËR KOMANDIM TË NJË GJYQTARI NË POZICIONIN PEDAGOG I BRENDSHËM NË SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbështetur në nenet 264 dhe 265 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, në nenet 53, 54, 57 dhe 58 të Ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, mbi kërkesën e Shkollës së Magjistraturës, me propozim të Komisionit të Vlerësimit Etik dhe Profesional;

VENDOSI:

  1. Të shpallë rihapjen e procedurës për paraqitjen e kërkesës nga kandidaturat që vijnë nga radhët e gjyqtarëve, për tu komanduar me pëlqimin e tyre në pozicionin e Pedagogut të Brendshëm, në Departamentin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës.
  2. Afati i komandimit është deri pesë vjet.
  3. Gjyqtari në detyrë që kandidon për komandim në pozicionin e mësipërm duhet të ketë eksperiencë pune mbi 15-vjet si jurist, gjyqtar, prokuror, avokat dhe eksperiencë mësimdhënëse si pedagog i brendshëm në sistemin universitar ose pedagog i jashtëm ose i brendshëm në Shkollën e Magjistraturës, mbi 10 vjet.
  4. Gjyqtari në detyrë që ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe kandidon për komandim në pozicionin e mësipërm duhet të ketë eksperiencë mbi 10-vjeçare si gjyqtar dhe eksperiencë mësimdhënëse universitare në lëndët kryesore ose në Shkollën e Magjistraturës mbi 5 vjet;
  5. Gjyqtari nuk lejohet të komandohet në rastet e mëposhtme :
    1. është në një pozicion me mandat të kufizuar;
    2. është i komanduar.
  6. Afati i paraqitjes së kërkesave për komandim në vendin vakant është 3 (tre) javë nga dita e shpalljes se këtij vendimi në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
  7. Bashkë me kërkesën për komandim, gjyqtari që kandidon duhet te dorëzojë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, edhe dokumentat që provojnë plotësimin e kushteve ligjore si më lart.
  8. Brenda dy javëve pas afatit të aplikimit, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës, mbështetur në nenin 54 pika 4 të Ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, përgatit një opinion për çdo kandidat dhe ia paraqet Këshillit për të vlerësuar rastet kur komandimi nuk është në përputhje me interesat e lartë të gjykatës, ku kandidati ushtron funksionin. Opinioni për kandidatin e përjashtuar nga komandimi publikohet në faqen zyrtare të Këshillit.
  9. Emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret për pozicionin e Pedagogut të Brendshëm, brenda dy javëve, pas afatit të kandidimit, i përcillen për vlerësim Shkollës së Magjistraturës.
  10. Vlerësimi i kritereve shtesë për pozicionin vakant si më sipër, bëhet nga Shkolla e Magjistraturës, në zbatim të Rregullores së Brendshme të miratuar prej saj.
  11. Shkolla e Magjistraturës njofton kandidatin për depozitimin pranë saj të dokumentacionit shtesë me qëllim vlerësimin e plotësimit të kritereve të tjera të parashikuara në Aneksin 11 të Rregullores së Shkollës.
  12. Përzgjedhja e kandidatit për vendin vakant në pozicionin e Pedagogut të Brendshëm në Departamentin e Formimit Fillestar, bëhet me vendim të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.
  13. Vendimi i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës për emërimin e Pedagogut të Brendshëm, i dërgohet Këshillit të Lartë Gjyqësor për të vendosur komandimin e magjistratit të përzgjedhur, si edhe përcaktimin e periudhës së komandimit.
  14. Këshilli i Lartë Gjyqësor vendos për komandimin e gjyqtarit në pozicionin e Pedagogut të Brendshëm, brenda dy javëve nga marrja e vendimit të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, sipas pikës 11 të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë me botimin e tij në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

PËR KËSHILLIN E LARTË GJYQËSOR