Vendim Nr.21 datë 9.01.2020

PËR KUALIFIKIMIN E KANDIDATIT Z. {…},PËR NË FORMIMIN FILLESTAR NË SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS, PËR MAGJISTRAT, PROFILI GJYQTAR

 

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 09.01.2020, pasi u njoh me materialet e çështjes dhe Relacionin “Për gjendjen e faktit dhe ligjin e zbatueshëm në lidhje me verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, të kandidatit z. {…}”, përgatitur nga relatorja znj. Marçela Shehu, si dhe pasi shqyrtoi propozimin për kualifikimin e kandidatit z. {…} për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2019-2020,

VËREN

I. PROCEDURA E VERIFIKIMIT

 

1. Z. {…} është kandidat për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, profili gjyqtar, në kushtet kur:

a) është vlerësuar nga Shkolla e Magjistraturës, në bazë të Raportit të Vlerësimit Përfundimtar të datës 01.04.2019, se plotëson kriteret e pranimit në formimin fillestar për magjistrat sipas nenit 28 të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” (më poshtë referuar si Ligji i Statusit);

b) ka marrë pjesë në provimin e organizuar nga Shkolla e Magjistraturës sipas nenit 31 të Ligjit të Statusit, duke u përfshirë në listën e renditjes së kandidatëve fitues në formimin fillestar për magjistrat, profili gjyqtar, të miratuar me Vendimin nr. 11, datë 15.05.2019, të Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, përcjellë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor me Shkresën nr. 1588 prot., datë 27.05.2019 (protokolluar me nr. 2898 prot., datë 27.05.2019).

 

2. Me Vendimin nr. 83, datë 05.06.2019, mbështetur në nenin 32 të Ligjit të Statusit, si dhe në Vendimin e tij nr. 75, datë 23.05.2019 “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”(më poshtë referuar si Vendimi 75/2019), Këshilli  i Lartë Gjyqësor ka vendosur fillimin e procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës për kandidatët për magjistratë, profili gjyqtarë, duke caktuar relatorin për çdo procedurë verifikimi për secilin kandidat, ku në bazë të shortit, për procedurën e verifikimittë kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin z. {…} si relatore u caktua znj. Marçela Shehu.

 

3. Më datë 11.06.2019, në respektim të detyrimeve të përcaktuara në Seksionin A, Kreu VI, të Vendimit 75/2019, kandidati, z. {…},në rrugë elektronike, u njoftua:

- për fillimin e procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit;

- për caktimin e relatorit të kësaj procedure verifikimi;

- për të drejtën që kishte për të kërkuarpërjashtimine relatorit të caktuar dhe/ose të çdo anëtari tjetër të Këshillit, brenda 3 (tre) ditëve nga marrja e këtij njoftimi.

Po ashtu, kandidati u njoftua edhe për detyrimin për plotësimin e formularit deklarues për adresën postare, adresën elektronike dhe kontaktit telefonik, për qëllimet e procedurës së verifikimit ndaj tij, formular ky që i është bashkëngjitur njoftimit.

 

4. Brenda afatit treditor, kandidati, z. {…}, depozitoi rregullisht të plotësuar formularin deklarues për adresën postare, adresën elektronike dhe kontaktit telefonik, për qëllimet e procedurës së verifikimit ndaj tij. Nga ana tjetër, në këtë afat, kandidati nuk parashtroi asnjë pretendim në lidhje me relatorin e caktuar për procedurën e verifikimit ndaj tij apo për ndonjë anëtar tjetër të Këshillit të Lartë Gjyqësor. 

 

5. Më datë 14.06.2019, bazuar në pikën 8, Seksioni B, Kreu VI, të Vendimit 75/2019, kandidatit, z. {…}, në rrugë elektronike, iu dërguan formularët dhe autorizimet përkatëse (të përcaktuara në pikën 6, Seksioni B, Kreu VI, të Vendimit 75/2019) që duhet të plotësoheshin dhe dorëzoheshin prej tij në kuadër të procedurës së verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit.

 

6. Brenda afatit pesëditor, kandidati, z. {…}, depozitoi formularët dhe autorizimet përkatëse, ndërsa brenda afatit 21 ditor (sipas pikës 4, Seksioni A, Kreu IX, të Vendimit 75/2019), ai dorëzoi rregullisht edhe formularin “Deklaratë e pasurisë dhe interesave privatë e kandidatit për pozicione të ndryshme në institucionet e sistemit të drejtësisë” pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave(më poshtë referuar si ILDKPKI).

 

7. Në vijim të procedurës së verifikimit, në datat 25.06.2019 dhe 28.06.2019, bazuar në pikën 10, Seksioni B, Kreu VI, të Vendimit 75/2019, përmes shkresave të veçanta, u kërkua informacion dhe raportim nga institucionet kompetente për verifikimin e pasurisë dhe të figurës, përcaktuar në nenin 32 të Ligjit të Statusit, për kandidatët për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, ndër ta edhe për z. {…}.

 

8. Institucionet kompetente për verifikimin e pasurisë dhe të figurës, kanë përcjellë për Këshillin e Lartë Gjyqësor informacionet dhe raportimet e tyre në kohë të ndryshme (siç do të përshkruhet më poshtë).

 

9. Gjatë procedurës së verifikimit, pas kërkimit dhe dhënies nga kandidati, në rrugë elektronike, të të dhënave të punësimit, më datë 01.07.2019, bazuar në pikën 10, Seksioni B, Kreu VI, të Vendimit 75/2019, përmes shkresave të veçanta, u kërkua informacion nga subjektet shtetërorë dhe privatë që kanë mbikqyrur displinën në punë të kandidatit z. {…}, të cilët kanë përcjellë për Këshillin e Lartë Gjyqësor informacionet e tyre në kohë të ndryshme (siç do të përshkruhet më poshtë).

 

10. Pas administrimit të dokumentacionit të nevojshëm, duke çmuar se procedura e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin {…}, ishte e plotë dhe në përputhje me kërkesat e Vendimit 75/2019, më datë 22.11.2019, relatorja e parashtroi çështjen përpara Komisionit të Zhvillimit të Karrierës.

 

11.Komisioni i Zhvillimit të Karrierës e shqyrtoi çështjen me datë 22.11.2019 dhe, pasi vlerësoi të plotë procedurën e verifikimit në këtë rast, bazuar në pikën 3, Seksioni C, Kreu VI, të Vendimit 75/2019, vendosi kalimin e saj për shqyrtim në mbledhjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor për të vlerësuar dhe vendosur ky i fundit për kualifikimin ose skualifikimin e kandidatit {…} për në formimin fillestar për magjistrat (profili gjyqtar) në Shkollës së Magjistraturës.

 

 

II. REZULTATET E VERIFIKIMIT PËR KRITERET E PRANIMIT NË FORMIMIN FILLESTAR TË SHKOLLËS SË MAGJISTRATURËS

 

A. Për kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat

 

1. Sa i përket kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, përfshirë edhe për kandidatin {…}, si dhe më lart u parashtrua, vlerësimi për plotësimin e tyre është bërë, në momentin e kandidimit, nga ana e Shkollës së Magjistraturës, bazuar kjo në nenin 30[1] (“Kandidimi dhe vlerësimi paraprak i kandidatëve”) të Ligjit të Statusit. Në përfundim të vlerësimit, Shkolla ka përgatitur dhe i ka paraqitur Këshillit të Lartë Gjyqësor raportin për rezultatet e vlerësimit paraprak së bashku me dosjet me dokumentet e kandidimit për secilin kandidat, ku pas komenteve të Këshillit, më datë 01.04.2019, Shkolla ka miratuar dhe publikuar në faqen e saj zyrtare Raportin e Vlerësimit Përfundimtar, përfshirë dhe listën e kandidatëve, të cilët plotësonin kriteret e parashikuara në nenin 28 të Ligjit të Statusit. Në këtë listë është përfshirë dhe kandidati {…}.

2. Gjithsesi, për kandidatin {…}, u konsiderua verifikimi sërish i disa prej kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për pranimin në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, përcaktuar në nenin 28 të Ligjit të Statusit.

 

2.1 Për këtë u mbajt në konsideratë diferenca kohore mes momentit të aplikimit të kandidatëve (Shkurt 2019), momentit të vlerësimit përfundimtar nga Shkolla e Magjistraturës për plotësimin e kritereve nga ana e tyre (1 Prill 2019), si dhe momentit aktual, kur Këshilli duhet të shprehet për kualifikimin ose jo të kandidatëve për në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, të cilët kanë rezultuar fitues në provimin e pranimit (Shtator 2019). Dhe po ashtu, nga ana tjetër, u mbajt në konsideratë dhe fakti se shumica e kritereve të pranimit në formimin fillestar janë potencialisht të ndryshueshëm në kohë (me përjashtim të kriterit arsimor, kriterit të përvojës profesionale, kriterit të anëtarësisë në parti politike, në kohën e kandidimit dhe kriterit të anëtarësisë, bashkëpunëtorit ose të favorizuarit nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990).

 

2.2 Gjithashtu, për këtë u mbajt në konsideratë se një verifikim i tillë është detyrim ligjor për Këshillin e Lartë Gjyqësor që buron nga neni 32 (“Verifikimi i pasurisë dhe figures”)[2], pika 4, shkronja “c”, të Ligjit të Statusit, sipas të cilit Këshilli ka detyrimin të verifikojë ekzistencën e çdo shkaku përjashtues (të parashikuar nga ligji) nga kandidimi për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës. Përveç kësaj, u mbajt në konsideratë detyrimi i Këshillit për verifikimin e kritereve të zgjedhshmërisë, të cilat janë njëherazi edhe kriteret e pranimit në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, pra, ato sipas nenit 28 të Ligjit të Statusit, është një detyrim konstant i Këshillit qoftë në momentin e emërimit të të diplomuarve për magjistrat (profili gjyqtar) në Shkollën e Magjistraturës, ashtu edhe gjatë karrierës së tyre si magjistrat (gjyqtar), referuar për këtë në nenet 35, 64 dhe 66 të Ligjit të Statusit.

 

3. Konkretisht, për kandidatin {…} u verifikua:

 

a) pasja nga ai i zotësisë së plotë për të vepruar, ku për këtë nuk u gjet ndonjë e dhënë për heqjen apo kufizimin e saj me vendim gjyqësor të formës së prerë;

 

b) pasja e shtetësisë shqiptare, ku për këtë, në rastin e aplikimit përpara Shkollës së Magjistraturës, është depozituar dokumenti Letërnjoftim ID, lëshuar nga Ministria e Brendshme më datë 27.10.2011, ku pasqyrohet përbërësi i gjendjes civile “shtetësia”, që në këtë rast pasqyrohet “shqiptar”, ndërkohë që gjatë verifikimit nuk u gjet ndonjë e dhënë për heqjen e shtetësisë shqiptare për këtë kandidat;

 

c) gjendja gjyqësore, ku për këtë, në rastin e aplikimit përpara Shkollës së Magjistraturës, ky i fundit ka kryer verifikim në regjistrin elektronik gjyqësor të administruar nga Ministria e Drejtësisë (Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve), duke printuar në letër Çertifikatë Elektronike datë 25.02.2019, ndërkohë që gjatë verifikimit, në kuadër të verifikimit të figurës së kandidatit, u administruan Shkresa nr. V-2125/1 prot., datë 04.07.2019, e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (Sektori i Gjendjes Gjyqësore). Sipas këtyre dokumenteve, kandidati nuk është i dënuar me vendim penal të formës së prerë;

 

ç) disiplina në punë, ku për këtë, në rastin e aplikimit përpara Shkollës së Magjistraturës është depozituar shkresa me nr. 34 prot., datë 11.02.2019 lëshuar nga Dhoma e Avokatëve Fier. Ndërkohë që gjatë verifikimit u administrua shkresa nr.89/1 prot, datë 08.07.2019, nga Dhoma e Avokatëve Fier. Nga këto dokumente rezulton se kandidati nuk është larguar nga puna për shkaqe disiplinore. Gjatë verifikimit rezultoi se ndaj kandidatit është marrë një masë disiplinore gjatë periudhës së punësimit të tij pranë shërbimeve të inteligjencës, masë e cila aktualisht nuk është në fuqi.

 

d) qënia bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete, ku për këtë, në rastin e aplikimit përpara Shkollës së Magjistraturës, kandidati ka depozituar një deklaratë me shkrim në të cilën deklaron se nuk ka qenë bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete, ndërkohë që gjatë verifikimit nuk u gjet ndonjë e dhënë për qënien e kandidatit bashkëpunëtor, informator, ose agjent i shërbimeve sekrete. Kandidati ka deklaruar se ka punuar si inspektor pranë shërbimeve të Inteligjencës, fakt i cili u vërtetua edhe gjatë procedurës së verifikimit.

 

4. Për kriteret e tjera të pranimit në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës u konsiderua vlerësimi i bërë nga kjo e fundit dhe konkretisht për:

 

a) pasjen e kriterit arsimor, ku për këtë, në rastin e aplikimit përpara Shkollës së Magjistraturës, është depozituar dokumenti “Diplomë”, me nr. 7495, datë 05.07.2002, lëshuar nga Universiteti i Tiranës Fakulteti i Drejtësisë, si dhe Çertifikatë e Notave datë 10.07.2002, lëshuar nga Universiteti i Tiranës Fakulteti i Drejtësisë.

 

b) pasjen e përvojës profesionale, ku për këtë, në rastin e aplikimit përpara Shkollës së Magjistraturës është depozituar dokumenti “Librezë Punë”, sipas të cilit kandidati ka përvojë profesionale  si avokat për periudhën 01.10.2006 – 31.12.2018.

 

c) mos anëtarësinë në parti politike në kohën e kandidimit, ku për këtë, në rastin e aplikimit përpara Shkollës së Magjistraturës, kandidati ka depozituar një deklaratë me shkrim në të cilën deklaron se nuk është anëtar i ndonjë partie politike;

 

ç) mosqënien anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990, ku për këtë, në rastin e aplikimit përpara Shkollës së Magjistraturës, kandidati ka depozituar një deklaratë me shkrim në të cilën deklaron se nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara vitit 1990, përveç se referuar moshës së tij (i datëlindjes 02.08.1980), ai nuk mund të ketë qenë i tillë.

 

B. Për kriterin e pasurisë

 

1. Për kandidatin {…} u verifikua kriteri i pasurisë, përcaktuar në pikën 1, të nenit 32, të Ligjit të Statusit.

 

2. Konkretisht, për verifikimin e kriterit të pasurisë për kandidatin {…}, u kërkua raportim nga ILDKPKI-ja, e cila ka dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor Raportin nr. 45/28 prot., datë 19.08.2019.

 

2.1 Sipas këtij Raporti të ILDKPKI-së, kandidati {…} ka plotësuar dhe depozituar në afatin e caktuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor formularin e deklaratës së pasurisë, si dhe autorizimet e kërkuara për verifikimin e pasurisë.

 

2.2 Po ashtu, sipas këtij Raporti të ILDKPKI-së, nga kjo e fundit është kryer kontrolli i plotë për pasuritë, asetet dhe interesat e deklaruara nga kandidati {…}, duke konkluduar se për kandidatin ka rezultuar :

 

- Mungesë dokumentacioni justifikues ligjor lidhur me burimin e krijimit të shumës prej 12.000 euro të depozituar në ISP Bank nga kandidati në datë 18.01.2012 (deklaruar pranë bankës me burim nga paga) ose të blerjes së automjetit në shumën 11.799 euro në datë 01.12.2011. 

- Mungesë dokumentacioni justifikues për burimin e krijimit të dhuratave, konkretisht identiteti i  dhuruesve dhe mundësitë financiare të tyre.

- Mungesë dokumentacioni justifikues ligjor lidhur me marrëdhënien juridike të kandiatit me apartamentin e deklaruar si adresë banimi ndodhur në Fier, lagja “Konferenca e Pezës”, kompleksi i pallateve të shoqërisë së ndërtimit “Mërtiti Tragjas”, Kulla nr. 2, kati 5, hyrja nr. 23, në pronësi të Robert Sulaj, si dhe dokumentacionit të pronësisë së kësaj pasurie.

 

Në përfundim të veprimeve verifikuese të kryera, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nënpunësve publikë”, i ndryshuar, ligjin nr. 9367, datë 07.04.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, si dhe ligjin nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, konstatohet se për kandidatin {…};

a)      deklarimi nuk është i saktë në përputhje me ligjin;

b)      ka mungesë dokumentacioni justifikues për burimin e krijimit të pasurisë;

c)      nuk ka kryer fshehje të pasurisë;

d)      nuk ka kryer deklarim të rremë;

e)      subjekti nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesave. 

 

2.3 Më datë 28.08.2019, në respektim të detyrimeve të përcaktuara në Kreu IX, Seksionin A, pika 11, shkronja b, të Vendimit 75/2019, kandidati, z. {…},në rrugë elektronike, u njoftua :

- për përfundimin e raportit të ILDKPKI-së, raport ky që i është bashkëngjitur njoftimit;

- për të drejtën që kishte për të paraqitur shpjegime dhe dokumenta të tjera përpara Këshillit, brenda 5 (pesë) ditëve nga marrja e këtij njoftimi.

 

2.4. Brenda afatit ligjor, kandidati, z. {…}, depozitoi pretendimet e tij lidhur me raportin e ILDKPKI-së duke i shoqëruar me dokumentacionin dhe argumentat përkatës.

 

2.5 Me shkresën nr. 3281/5 prot., datë 06.09.2019 Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dërguar ILDKPI-së kërkesë për informacion shtesë në lidhje me kandidatin për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës z. {…}, duke i përcjellë dhe dokumentacionin përkatës.

 

2.6 Me shkresën nr. 3332/7 prot. datë 23.09.2019, ILDKPKI-ja, në përfundim të veprimeve verifikuese të kryera, ka përcjellë pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor raportin, duke konkluduar se për kandidatin z. {…} :

 

Në përfundim të veprimeve verifikuese të kryera, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.04.2003, “Për deklarimin dhe kontollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nënpunësve publikë”, i ndryshuar, ligjin nr. 9367, datë 07.04.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, si dhe ligjin nr. 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, konstatohet se për kandidatin {…} :

a)      deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin;

b)      ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë;

c)      nuk ka kryer fshehje të pasurisë;

d)      nuk ka kryer deklarim të rremë;

e)      subjekti nuk gjendet në situatën e konfliktit të interesave. 

 

3. Për verifikimin e kriterit të pasurisë për kandidatin {…} u kërkua informacion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

 

3.1 Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informacioni u dërgua me shkresën nr. 12592/1 prot., datë 08.07.2019, ku për kandidatin {…} jepen të dhëna për aktivitet si person fizik, siç ka deklaruar dhe vetë kandidati për ushtrimin e profesionit të avokatit dhe statusi aktual (pra deri me datë 08.07.2019) është aktiv.

 

3.2 Nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave informacioni u dërgua me shkresën nr. 16911/1 prot., datë 12.07.2019, ku për kandidatin {…} nuk jepet ndonjë e dhënë me karakter pasuror.

 

4. Të dhënat e dërguara përmes informacioneve respektive nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave u ballafaquan me të dhënat sipas Raportit të ILDKPKI-së, duke u vlerësuar se nuk kishte vend për t’ju kërkuar ILDKPKI-së bërja e një kontrolli shtesë.

 

5. Nga verifikimi i kriterit të pasurisë për kandidatin {…} janë grumbulluar të dhëna të mjaftueshme mbi të cilat mund të konkludohet se për të nuk ekziston asnjë prej shkaqeve të skualifikimit nga formimi fillestar për në Shkollën e Magjistraturës sa i përket kriterit të pasurisë. Konkretisht, verifikohet që:

 

a)      kandidati ka plotësuar dhe depozituar rregullisht formularin e deklaratës së pasurisë;

b)      kandidati ka plotësuar dhe depozituar rregullisht, të nënshkruara, autorizimet e kërkuara për verifikimin e pasurisë;

c)      kandidati ka burime financiare për të justifikuar pasuritë e tij;

ç)   deklarimi nga kandidati i pasurisë, aseteve ose të interesave private, të detyrueshme për t’u deklaruar, është i plotë, i vërtetë dhe i saktë.

 

C. Për kriterin e figurës

 

1. Për kandidatin {…} u verifikua kriteri i figurës, përcaktuar në pikën 1, të nenit 32, të Ligjit të Statusit.

 

2. Konkretisht, për verifikimin e kriterit të figurës për kandidatin {…}, u kërkua raportim nga institucionet ligjzbatuese të përcaktuara në pikën 2, të nenit 32, të Ligjit të Statusit, me përjashtim të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila nuk është ngritur ende.

 

3. Nga raportimet e shërbimeve shtetërore informative nuk u verifikuan dhe u vërtetuan të dhëna për lidhje ose kontakte të papërshtatshme të kandidatit {…} me persona të përfshirë në krimin e organizuar apo për përfshirjen e tij në veprimtari që cënojnë sigurinë kombëtare apo aktivite të kundërligjshme.

 

4. Po ashtu, për verifikimin e kriterit të figurës për kandidatin {…}, atij iu kërkua dhe ai plotësoi e depozitoi rregullisht pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, më datë 17.06.2019, formularin e vetëdeklarimit sipas kërkesave të Ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, si dhe autorizimin për Këshillin që, në zbatim të pikës 2 të nenit 32 të Ligjit për Statusin, të kryejë verifikimin në organet kompetente sipas ligjit, të të dhënave të tij në lidhje me figurën dhe integritetin.

 

4.1 Në kuadër të zbatimit të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, mbi kërkësën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Prokuroria e Përgjithshme ka kryer verifikimin përkatës, duke përcjellë në Këshill, me shkresën nr. 1782/238 prot., datë 03.09.2019, Vendimin “Për miratimin e rezultateve të verifikimit”, sipas të cilit është vlerësuar se “Subjekti deklarues {…} {…} {…}, kandidat për në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, nuk përfshihet në fushën e veprimit të nenit 2, të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

 

4.2. Po në kuadër të zbatimit të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, mbi kërkesën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Gjendjes Civile, me shkresën nr. 5655/1 prot., datë 19.08.2019, ka dërguar në Këshill të dhënat për përbërësit e gjendjes civile edhe për kandidatin {…}, pas verifikimeve të bëra në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile të vitit 2010 dhe në zyrat përkatëse të gjendjes civile.

 

4.2.1 Bazuar në informacionin e dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Gjendjes Civile, nëpunësi përgjegjës i strukturës së posaçme pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi kreu verifikimet e rastit, nuk konstatoi mangësi në të dhënat e deklaruara nga kandidati {…} në formularin e vetëdeklarimit sipas kërkesave të Ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Për pasojë, u vlerësua që nuk kishte vend për verifikim shtesë nga Prokuroria e Përgjithshme.

 

5. Nga verifikimi i kriterit të figurës për kandidatin {…} janë grumbulluar të dhëna të mjaftueshme mbi të cilat mund të konkludohet se për të nuk ekziston asnjë prej shkaqeve të skualifikimit nga formimi fillestar për në Shkollën e Magjistraturës. Konkretisht, verifikohet që:

 

a)      kandidati ka plotësuar dhe depozituar rregullisht formularin e vetëdeklarimit sipas kërkesave të Ligjit nr.138/2015;

b)      kandidati ka plotësuar dhe depozituar rregullisht, të nënshkruara, autorizimin për Këshillin e Lartë Gjyqësor që, në zbatim të pikës 2 të nenit 32 të Ligjit për Statusin, të kryejë verifikimin në organet kompetente sipas ligjit, për të dhënat që lidhen me figurën dhe integritetin e tij;

c)      për kandidatin nuk ka të dhëna për lidhje ose kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar;

ç)   për kandidatin nuk ka të dhëna që të ketë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga Sigurimi i Shtetit përpara datës 2 korrik 1991, në kuptimin e Ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

d)     për kandidatin nuk ka të dhëna që të ketë qenë ose të jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës;

dh) për kandidatin nuk ka ndonjë të dhënë tjetër në lidhje me figurën dhe integritetin e tij mbi të cilën të ngrihen dyshime për pranueshmërinë e tij për në formimin fillestar për magjistrat në Shkollën e Magjistraturës.

 

III. KONKLUZIONE

 

1. Referuar përcaktimeve të Vendimit 75/2019, nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar gjatë procedurës së verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin z. {…}, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se procedura e verifikimit e ndjekur në këtë rast është e plotë dhe në përputhje me ligjin.  

 

2. Bazuar në sa më lart është parashtruar mbi rezultatet e verifikimit të kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin z. {…}, Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson se kandidati përmbush të gjitha këto kritere, për kualifikimin e tij. Nisur nga kjo, Këshilli çmon se është vendi për kualifikimin e kandidatit për në formimin fillestar për magjistrat, profili gjyqtar, në Shkollën e Magjistraturës.

 

PËR  KËTO  ARSYE

 

Mbështetur në nenin 32, pika 5, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 61, pika 1, në nenin 86, shkronja “ë” dhe në nenin 97, pika 1, shkronja “a”, të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, si dhe Kreun VI, Seksioni Ç, pika 12, shkronja “a”, tëVendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 75, datë 23.05.2019 “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”, Këshilli i Lartë Gjyqësor,

 

VENDOSI:

 

1.      Kualifikimin e kandidatit z. {…}, për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, në vitin akademik 2019-2020.

 

2.       Një kopje e arsyetuar e vendimit i njoftohet kandidatit z. {…} sipas kërkesave të nenit 98 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, si dhe bëhet publik në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pasi të redaktohet për sigurimin e anonimatit të subjekteve.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor

 

PËR KËSHILLIN E LARTË GJYQËSOR

 



[1] 1. Shkolla e Magjistraturës pranon aplikimet për pranimin në formimin fillestar, deri në fund të muajit shkurt të çdo viti.

2. Kandidatët paraqesin dokumentacionin e nevojshëm që vërteton përmbushjen e kritereve të parashikuara në nenin 28 të këtij ligji. Nëse dokumentacioni i paraqitur nuk vërteton plotësisht përmbushjen e kritereve, nuk është i plotë, i saktë, ose ka dyshime të arsyeshme për vërtetësinë e tij, Shkolla e Magjistraturës mund të kërkojë informacion ose dokumentacion shtesë nga organet publike ose punëdhënësit e kandidatit.

3. Deri në datën 15 mars të çdo viti, Shkolla e Magjistraturës kryen një vlerësim paraprak, nëse kandidati përmbush kriteret e kandidimit, të parashikuara në nenin 28 të këtij ligji.

4. Shkolla e Magjistraturës i paraqet Këshillave raportin për rezultatet e vlerësimit paraprak së bashku me dosjet me dokumentet e kandidimit për secilin kandidat. Këshillat mund të japin komente ose kundërshtime jo më vonë se në fund të muajit mars të çdo viti. Shkolla e Magjistraturës miraton raportin e vlerësimit përfundimtar, duke marrë në konsideratë komentet dhe kundërshtimet e bëra, dhe publikon raportin e vlerësimit përfundimtarnë faqen e saj zyrtare, duke përfshirë listën e kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret e parashikuara në nenin 28 të këtij.

5. Çdo kandidat, i cili nuk është përfshirë në listën e kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret, ka të drejtë të ushtrojë mjetet ligjore të ankimit, të parashikuara në ligjin "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë" dhe aktet nënligjore përkatëse”.

[2] 1. Kandidatët me rezultatet më të larta në listën e publikuar, sipas përcaktimeve të nenit 31, të këtij ligji, të cilët mund të pranohen në formimin fillestar të Shkollës së Magjistraturës, i nënshtrohen verifikimit të plotë të pasurisë dhe figurës.

2. Brenda një jave nga publikimi i listës përfundimtare, sipas nenit 31, të këtij ligji, për secilin kandidat të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, Këshillat kërkojnë raportim nga institucionet kompetente për verifikimin e pasurisë dhe të figurës në lidhje me çdo shkak tjetër përjashtues, nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, prokuroria, organet e administratës tatimore dhe doganore, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative, si dhe çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës së kandidatit. Nëse është e nevojshme, Këshillat kërkojnë informacion shtesë nga institucionet e përmendura në këtë pikë.

3. Çdo institucion publik, subjekt fizik ose juridik, duhet të përmbushë kërkesat e Këshillave për informacion, dokumentacion, ose materiale të tjera në lidhje me një hetim, me përjashtim të rasteve të kufizuara me ligj, brenda afatit ligjor të arsyeshëm të përcaktuar nga Këshillat në kërkesën e tyre.

4. Në çdo rast, kandidati nuk pranohet në Shkollën e Magjistraturës kur:

a) raporti i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave tregon që burimet financiare të kandidatit nuk justifikojnë pasuritë e tij dhe nuk ka deklaruar pasuri ose asete ose ka dhënë një deklaratë të rreme ose jo të saktë të aseteve;

b) raportet e Byrosë Kombëtare të Hetimit ose Shërbimit Informativ Shtetëror tregojnë se kandidati ka lidhje me krimin e organizuar, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar";

c) ka ndonjë shkak tjetër përjashtues të njohur, të parashikuar sipas ligjit.

5. Deri në datën 5 shtator të çdo viti, Këshillat vendosin pranueshmërinë e kandidatëve, bazuar në informacionin që kanë marrë për rezultatet e verifikimit të pasurisë dhe figurës së tyre.

6. Kandidatët kanë të drejtë të njihen me dosjen dhe të ankohen në gjykatën kompetente ndaj vendimit të Këshillave, brenda 5 ditëve. Gjykata kompetente vendos për ankimin, brenda dy javëve nga paraqitja e tij.

7. Pas përfundimit të verifikimit të pasurisë dhe figurës, Këshillat miratojnë dhe publikojnë në fund të muajit shtator të çdo viti, listën përfundimtare të kandidatëve magjistratë, që pranohen në Shkollën e Magjistraturës, në formimin fillestar trevjeçar, në përputhje me numrin e kandidatëve të përcaktuar sipas nenit 29 dhe duke respektuar me përpikëri renditjen e kandidatëve në listën e parashikuar në pikën 2, të nenit 31, të këtij ligji.