Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr.23 datë 7.02.2019

MBI MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KRITERET DHE PROCEDURËN E TRANSFERIMIT TË PËRKOHSHËM TË GJYQTARIT

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i mbledhur sot më datë 07.02.2019, bazuar në nenin 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenet 2 dhe 89 të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë” si dhe nenit 46 të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës,

V E N D O S I :

  1. Miratimin e “Rregullore për kriteret dhe procedurën e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit” sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimin.
  2. Kjo rregullore hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare dhe publikohet në faqen zyrtare të Këshillit.
  3. Çdo rregullim tjetër, që bie ndesh me rregullat e përcaktuara në këtë rregullore shfuqizohet.
  4. Kthimin pa veprim të çdo pëlqimi të dhënë për transferim të përkohshëm nga gjyqtarët, të bëra para miratimit të kësaj Rregullores.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

RREGULLORE

MBI KRITERET DHE PROCEDURËN E TRANSFERIMIT TË PËRKOHSHËM TË GJYQTARIT

Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenin 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 2 dhe 89 të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe nenit 46 të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”,

Vendosi:

Neni 1

Objekti

  1. Objekt i kësaj Rregulloreje është përcaktimi i kritereve dhe procedurës së transferimit të përkohshëm të gjyqtarit sipas nenit 46 ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 2

Subjektet

  1. Subjekte të kësaj Rregulloreje janë gjyqtarët që ushtrojnë funksionin e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë dhe të apelit në Republikën e Shqipërisë të cilëve nuk u është kufizuar ushtrimi i funksionit për shkaqe të parashikuara në ligj.

Neni 3

Përkufizime

  1. Termat e përdorur në këtë Rregullore kanë të njëjtin kuptim me termat e përkufizuar në ligjin nr.96/2016, “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
  2. Përveç sa parashikohet në pikën 1 të këtij neni, për qëllime të zbatimit të kësaj Rregulloreje, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
  1. “Gjykatë në nevojë” nënkupton gjykatën në të cilën ka një ose disa pozicione të lira të përkohshme, situatë e cila cenon funksionimin normal të saj.
  1. “Pozicion i lirë i përkohshëm” nënkupton rastin kur gjyqtari që ka atë pozicion në mënyrë të përhershme, për të paktën 3 muaj, është përkohësisht në pamundësi për të ushtruar funksionin në atë pozicion.
  1. “Pëlqim” është çdo shfaqje vullneti e materializuar e subjektit të kësaj Rregulloreje, ku identifikohet pranimi i tij për transferimin e përkohshëm në një gjykatë të caktuar.

ç)   “Transferim” është lëvizje e përkohshme e gjyqtarit për një periudhë të caktuar kohe, nga një pozicion i përhershëm në gjykatën e tij, në një pozicion të lirë të përkohshëm në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel ose të një niveli më të lartë nëse plotëson kriteret për atë pozicion.

d) “Mungesa e gjyqtarëve të disponueshëm në skemën e delegimit” nënkupton rastin kur në skemën e delegimit nuk ka gjyqtarë të caktuar apo kur gjyqtarët e caktuar janë në pamundësi ligjore për ushtrimin e funksionit.

dh) “Gjykatë me ngarkesë më të ulët” nënkupton gjykatën ku gjyqtarët kanë numrin më të ulët të çështjeve gjyqësore që kanë për shqyrtim në momentin e kërkuar kohor.

e) “Gjykata e tij apo gjykata nga vjen” nënkupton gjykatën kur gjyqtari është caktuar në mënyrë të përhershme.

Neni 4

Parimet e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit

  1. Transferimi i përkohshëm i gjyqtarit kryhet vetëm kur nevoja e gjykatës nuk mund të plotësohet nëpërmjet skemës së delegimit.
  2. Transferimi i përkohshëm i gjyqtarit kryhet vetëm atëherë kur në gjykatën në të cilën do të transferohet ka të paktën një pozicion të lirë të përkohshëm.
  3. Transferimi i përkohshëm i gjyqtarit nuk kryhet nëse efekti negativ që shkakton në gjykatën e tij, çmohet nga Këshilli se, është më i madh se dobia që ai pritet të sjellë në gjykatën ku do të transferohet. Për këtë qëllim Këshilli në çdo rast merr mendimin e kryetarit të gjykatës ku gjyqtari është i caktuar në mënyrë të përhershme.
  4. Transferimi i përkohshëm bëhet ndërmjet gjyqtarëve nga gjykatat me ngarkesë më të ulët, duke filluar nga gjykatat më të afërta apo ato brenda të njëjtit juridiksion apelit me gjykatën në nevojë.
  5. Ne rast se ka më shumë se një gjyqtar që jep pëlqimin për transferim të përkohshëm në një gjykatë konkrete, Këshilli vendos të përzgjedhë atë kandidat që vjen nga gjykata me ngarkesën mesatare më të ulët për gjyqtar. Ne rast se kandidatët vijnë nga e njëjta gjykatë, Këshilli përzgjedhë kandidatin duke marrë në konsideratë përvojën profesionale të gjyqtarëve dhe fushën e së drejtës për të cilën kërkohet shërbimi i tij.
  6. Në caktimin e periudhës së transferimit të përkohshëm, Këshilli mban parasysh mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor në tërësi si dhe gjykatat mes të cilave ndodh transferimi në veçanti. Në çdo rast, periudha e transferimit në kuptim të kësaj Rregulloreje nuk mund të zgjasë më shumë se 1 (një) vit.
  7. Transferimi i përkohshëm kryhet me pëlqimin e gjyqtarit që transferohet. Në rastin kur asnjë gjyqtar nuk jep pëlqimin, transferimi i përkohshëm mund të bëhet edhe pa pëlqim, sipas kritereve të nenit 46/2 të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
  8. Në përfundim të periudhës së transferimit gjyqtari rikthehet në pozicionin e mëparshëm.
  9. Transferimi i përkohshëm nuk bëhet në rastet kur gjyqtari është nën efektet e një mase disiplinore, zbatimi i së cilës mund të shmanget për shkak të përfshirjes në procedurën e transferimit.

KREU II

TRANSFERIMI ME PELQIM

Neni 5

Shpallja e vendeve të lira për transferim të përkohshëm

  1. Kur një gjykatë është në nevojë dhe në skemën e delegimit nuk ka gjyqtar të disponueshëm, Këshilli shpallë pozicionin e lirë të përkohshme që është i hapur për transferim dhe u bën thirrje gjyqtarëve për të dhënë pëlqimin.
  2. Këshilli shtyn shpalljen e vendeve të lira për transferim kur çmon se nevoja në gjykatën në të cilën synohet transferimi nuk është emergjente. Këshilli konsideron edhe marrjen e masave të tjera për adresimin e nevojës në gjykatën në të cilën synohet transferimi.
  3. Këshilli autorizon Komisionin e Zhvillimit të Karrierës të ndjekë hapat e mëtejshëm për trajtimin e kërkesës për transferim.

Neni 6

Kërkimi i pëlqimit nga gjyqtari

  1. Komisioni i Zhvillimit të Karrierës identifikon gjykatat me ngarkesë më të ulët duke kërkuar informacion nga Kryetarët e gjykatave të cilët e dërgojnë atë jo më vonë se dy ditë nga marrja e kërkesës.
  2. Thirrja për aplikim publikohet në faqen e internetit të Këshillit dhe u komunikohet gjyqtarëve nëpërmjet kryetarëve të gjykatave. Thirrja përmban kriteret e transferimit të përkohshëm sipas rastit në fjalë dhe modelin e dhënies së pëlqimit sipas modelit bashkëlidhur kësaj Rregulloreje.

Neni 7

Verifikimi paraprak i plotësimit të kritereve

  1. Komisioni i Zhvillimit të Karrierës verifikon paraprakisht plotësimin e kritereve të gjyqtarit që ka dhënë pëlqimin për transferim të përkohshëm.
  2. Në rastet kur Komisioni i Zhvillimit te Karrierës konstaton se gjyqtari nuk plotëson kriteret e transferimit të përcaktuara në kërkesë, i propozon Këshillit refuzimin e kërkesës së tij për transferim.

Neni 8

Shqyrtimi i dhënies së pëlqimit për transferim të përkohshëm

  1. Në vlerësimin e rasteve për transferim të përkohshëm, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës krahas verifikimit të plotësimit të kritereve nga ana e gjyqtarit që ka dhënë pëlqimin, vlerëson edhe mendimin e kryetarit të gjykatës ku ushtron funksionet gjyqtari në fjalë.
  2. Me kërkesë të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, kryetari i gjykatës dërgon me shkrim brenda dy ditësh mendimin e tij mbi transferimin e përkohshëm të gjyqtarit. Mendimi i kryetarit shpreh vlerësimin e tij mbi ngarkesën e gjykatës në tërësi dhe të gjyqtarit në veçanti, numrin total të gjyqtarëve që ushtrojnë funksionet në atë gjykatë, seksionin nga i cili vjen gjyqtari apo fushën e të drejtës në të cilën ai shërben, pasojat që mund të ketë në ngarkesën e gjykatës transferimi i gjyqtarit, si dhe një propozim mbi periudhën maksimale për të cilën gjyqtari mund të transferohet përkohësisht duke mbajtur në konsideratë efektet më të ulëta negative që mund të vijnë nga transferimi.
  3. Në përfundim të shqyrtimit të rasteve të cilët kanë dhënë pëlqimin për transferim të përkohshëm Komisioni përgatit një raport për çdo rast dhe ia paraqet Këshillit për shqyrtim dhe vendim duke i propozuar:
  4. miratimin e transferimit të përkohshëm;
  5. refuzimin e transferimit të përkohshëm.

Neni 9

Vendimmarrja e Këshillit

  1. Këshilli merr vendim për të transferuar ose jo përkohësisht gjyqtarin që ka dhënë pëlqimin pas shqyrtimit dhe propozimit të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës. Vendimi i komunikohet menjëherë gjyqtarit dhe kryetarëve të gjykatave.
  2. Këshilli mund të vendosë që efektet e vendimit të transferimit të përkohshëm të gjyqtarit të fillojnë në një kohë më të mëvonshme nga data e vendimit.

KREU III

TRANSFERIMI PA PELQIM

Neni 10

Fillimi i procedurës së transferimit të përkohshëm pa pëlqim

  1. Kur nevojat e një gjykate për gjyqtarë nuk mund të plotësohen nga skema e delegimit dhe as nga transferimi i përkohshëm me pëlqim i ndonjë gjyqtari, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës njofton Këshillin dhe nis procedurat e transferimit të përkohshëm të një gjyqtari pa pëlqim.

Neni 11

Kushtet dhe kriteret e veçanta të transferimit pa pëlqim të gjyqtarit

1. Transferimi pa pëlqim bëhet sipas kushteve dhe kritereve të mëposhtme:

  1. kur asnjë gjyqtar nuk jep pëlqimin për t’u transferuar përkohësisht në një gjykatë;
  2. gjyqtari ose gjyqtarët duhet të jenë nga gjykatat me ngarkesën mesatare më të ulët për gjyqtar, të asaj shkalle për të cilën kërkohet transferimi;
  3. gjyqtari duhet të jetë me përvojën më të pakët si gjyqtar në atë gjykatë,
  4. gjyqtari duhet të përmbushë kriteret për pozicionin që kërkohet për t’u transferuar përkohësisht,
  5. gjyqtari duhet të vijë nga gjykata e vendosur në të njëjtin juridiksion territorial të Gjykatës së Apelit, mundësisht të ndodhur sa më pranë gjykatës nga e cila vjen gjyqtari. Nëse gjykata më e afërt ndodhet në një juridiksion territorial të një gjykate tjetër apelit, gjyqtari duhet të dërgohet nga kjo gjykatë. Në rast pamundësie, transferimi do të bëhet nga gjykata të tjera më të afërta.

2. Transferimi pa pëlqim për një periudhë të caktuar në gjykatat e apelit do të bëhet së pari nga gjyqtarët e apelit, sipas kritereve të këtij neni. Në rast pamundësie, transferimi do të bëhet nga gjyqtarë të shkallës së parë që përmbushin kriteret për pozicionin që kërkohet për t’u transferuar përkohësisht.

3. Transferimi pa pëlqim për një periudhë të caktuar në gjykatën administrative, do të bëhet së pari nga gjyqtarët e gjykatave administrative, sipas kritereve të këtij neni. Në rast pamundësie, transferimi do të bëhet nga gjyqtarët e gjykatave me juridiksion të përgjithshëm që përmbushin kriteret për pozicionin që kërkohet për t’u transferuar përkohësisht.

Neni 12

Identifikimi i gjyqtarit që do të transferohet pa pëlqim

  1. Komisioni i Zhvillimit të Karrierës shqyrton informacionin e mbledhur sipas nenit 6 për të përcaktuar gjykatën me ngarkesën më të ulët.
  2. Pas përcaktimit të gjykatës me ngarkesën më të ulët, Komisioni i Zhvillimit të Karrierës identifikon në atë gjykatë gjyqtarin me përvojën më të pakët i cili përmbush njëkohësisht edhe kriteret për pozicionin që kërkohet për t’u transferuar përkohësisht.
  3. Në çdo rast Komisioni i Zhvillimit të Karrierës vlerëson edhe mendimin e kryetarit të gjykatës ku ushtron funksionet gjyqtari në fjalë.
  4. Kryetari i gjykatës dërgon me shkrim brenda dy ditësh mendimin e tij mbi transferimin e përkohshëm të gjyqtarit. Me kërkesë të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, kryetari i gjykatës dërgon me shkrim brenda dy ditësh mendimin e tij mbi transferimin e përkohshëm të gjyqtarit. Mendimi i kryetarit shpreh vlerësimin e tij mbi ngarkesën e gjykatës në tërësi dhe të gjyqtarit në veçanti, numrin total të gjyqtarëve që ushtrojnë funksionet në atë gjykatë, seksionin nga i cili vjen gjyqtari apo fushën e të drejtës në të cilën ai shërben, pasojat që mund të ketë në ngarkesën e gjykatës transferimi i gjyqtarit, si dhe një propozim mbi periudhën maksimale për të cilën gjyqtari mund të transferohet përkohësisht duke mbajtur në konsideratë efektet më të ulëta negative që mund të vijnë nga transferimi. Mendimi i kryetarit të gjykatës nuk është përcaktues.
  5. Në përfundim Komisioni përgatit një raport për transferimin pa pëlqim dhe ia paraqet Këshillit për shqyrtim duke i propozuar miratimin e transferimit të përkohshëm dhe periudhën e transferimit.

Neni 13

Vendimmarrja e Këshillit

  1. Këshilli merr vendim për të transferuar ose jo përkohësisht pa pëlqim gjyqtarin pas shqyrtimit të propozimit të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës. Vendimi i komunikohet menjëherë gjyqtarit dhe kryetarëve të gjykatave mes të cilave ndodh transferimi.
  2. Këshilli mund të vendosë që efektet e vendimit të transferimit të përkohshëm të gjyqtarit të fillojnë në një kohë më të mëvonshme nga data e vendimit.
  3. Në rast se Këshilli vendos të mos miratojë propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, ky i fundit përsërit procedurën e parashikuar nga neni 12 i kësaj Rregulloreje.

Neni 14

Përfitimet për shkak të transferimit të përkohshëm

  1. Gjyqtari i cili transferohet përkohësisht sipas kësaj Rregulloreje përfiton kompensim sipas parashikimeve të neneve 15/2 të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 15

Regjistri i transferimeve

  1. Këshilli krijon një regjistër të posaçëm i cili përmban informacion mbi gjyqtarët e transferuar sipas kësaj Rregulloreje, periudhën e transferimit dhe ngarkesën e tyre.

Neni 16

Hyrja në fuqi

 

PËR KËSHILLIN E LARTË GJYQËSOR

 

  1. Kjo Rregullore hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.