Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

2019 klgj

2019 klgj

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot, më datë 19.04.2019, mbledhjen e radhës në të cilën shqyrtoi, diskutoi dhe miratoi disa vendime.

Këshilli, me qëllim zbatimin e normave ligjore dhe procedurale të gjykimit brenda afateve të arsyeshme kohore, bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme, vendosi caktimin e 106 gjyqtarëve për gjykimin e 75 çështjeve gjyqësore të veçanta, në gjykata të ndryshme nga ajo e origjinës. Këto vendime, u morën në kushtet e pamundësisë së Gjykatave ku janë regjistruar çështjet për ti shqyrtuar në afat ato, për shkak të heqjes dorë së gjyqtarëve apo konfliktit të interesit.

Gjithashtu, Këshilli miratoi një shtesë në vendimin e KLGJ për miratimin e listës emërore të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë që plotësojnë kriteret për të marrë pjesë në provimin e pranimit në Programin e Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, si dhe miratoi procesverbalet e mbledhjeve të datave 18.03.2019 dhe 27.03.2019.

 

Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, sot më datë 24.04.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi disa vendime me rëndësi.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli shqyrtoi kërkesën e gjyqtarit Arben Zefi, për dorëheqjen nga statusi i magjistratit. Këshilli pasi dëgjoi në seancë Z. Zefi, vendosi të mos marrë në shqyrtim kërkesën e tij, deri në vendimmarrjen përfundimtare të organeve të vetingut.

Bazuar në kërkesën e Këshillit për Emërimet në Drejtësi, referuar volumit të punës që paraqet procesi i verifikimit e vlerësimit të kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë, Këshilli vendosi përjashtimin e gjyqtarëve njëkohësit anëtarë të KED, Margarita Buhali dhe Fatri Islamaj, nga procedura e ndarjes së çështjeve me short në Gjykatat ku ato ushtojnë detyrën.

Me qëllim zgjidhjen e problematikës të inspektorëve të ish-KLD-së, si pasojë e mos krijimit në kohë të institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Këshilli ngriti Komisionin e Përkohshëm për vlerësimin e statusit individual dhe karrierën e inspektorëve të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili do të hartojë për KLGJ-në propozimet përkatëse mbështetur në profilin individual dhe dosjen personale të çdo inspektori.

Më tej anëtarët e Këshillit miratuan fillimin e procedurës së transferimit të përkohshëm dhe shpalljen e një pozicioni të lirë të përkohshëm për transferim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër dhe në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin.

Në vijim, Këshilli miratoi dhënien e opinionit mbi kandidatët që kanë aplikuar për t’u komanduar si pedagog i brendshëm, në Departamentin e Formimit Fillestar.

Gjithashtu, Këshilli vendosi mbi mbarimin e statusit të magjistratit për 5 ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë që iu ka mbaruar mandati kushtetues.

Duke vlerësuar të rëndësishme qasjen në drejtësi dhe marrëdhëniet me publikun, në përputhje me nenin 91 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, Këshilli caktoi z. Erjon Muharremaj, anëtarë i KLGJ, për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun.

Sot më datë 03.05.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi dy vendime me rëndësi,mes të cilëve, raportin mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2018.

Në raportin e përgatitur nga Komisioni i Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit,

pasqyrohet një analizë e thellë e problemeve të sistemit të drejtësisë, të trashëguara nga viti i kaluar, si dhe evidentohet qartësisht puna dhe masat e ndërmarra nga KLGJ, menjëherë pas konstituimit, pavarësisht kohës së shkurtër nga momenti i ngritjes së institucionit deri në miratimin e këtij raporti. 

Në zbatim të nenit 82 të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, raporti i miratuar në Këshill, do i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë, si dhe do botohet në faqen e internetit të KLGJ.

Gjithashtu, Këshilli bazuar në nevojat e parashtruara nga Gjykatat, miratoi shpërndarjen e 20 punonjësve të miratuar nga buxheti i shtetit për vitin 2019, në numrin e përgjithshëm, të punonjësve të sistemit gjyqësor.  Kjo shpërndarje u bë, duke mbajtur në konsideratë, nevojat që ka administrata e gjykatave për punonjës.

Në datën 02.05.2019, gjatë transmetimit të emisionit investigativ “STOP” në TV Klan, janë konstatuar informacione të pasakta në lidhje me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, që besojmë se janë rrjedhojë e interpretimit të gabuar të legjislacionit që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni kushtetues. Këshilli i Lartë Gjyqësor sqaron opinionin publik se në veprimtarinë e tij udhëhiqet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e saj.

            Sjellim në vëmendjen e opinionit publik se Këshilli i Lartë Gjyqësor me shkresën e tij nr.239/1 prot., datë 31.01.2019, drejtuar Emisionit “Stop” të Televizionit Klan, ka sqaruar gjerësisht se shqyrtimi i kërkesës së tij për hetimin disiplinor apo për pezullimin nga detyra të gjyqtares Pajtime Fetahu për shkak të pretendimeve për kryerjen nga ana e saj të shkeljeve disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës si gjyqtare, nuk është në kompetencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjithashtu, Keshilli i Lartë Gjyqesor ka sqaruar se nuk mund të ndërmerrte masën e pezullimit nga detyra të gjyqtares mbi bazë diskrecioni, parashikuar në nenin 152 të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, përsa kohë kjo dispozitë ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 34, datë 10.04.2017.

            Në lidhje me sa në emision u adresua për zbatimin e dy standardeve nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, bëjmë me dije se në rastin e gjyqtarit Roland Hysi, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur pezullimin e detyrueshëm nga detyra, bazuar në nenin 140 të Kushtetutës, në nenin 151, pika 1, shkronja “a” dhe në nenin 155 të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në kushtet kur ndaj tij, sipas informacionit zyrtar të marrë, Gjykata e Shkallës së Parë Për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”. Ndërsa për gjyqtaren Pajtime Fetahu, deri më sot, Keshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka marrë asnjë informacion që ndaj saj të ketë filluar ndonjë procedim penal, në kuadër të të cilit, për këtë gjyqtare, gjykata të këtë caktuar masë sigurimi personal, “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”, për kryerjen e një vepre penale, apo që kjo gjyqtare të ketë marrë cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje. Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka marrë asnjë informacion që ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu të ketë filluar, sipas ligjit, një procedim disiplinor, procedim ky që mund të fillojë vetëm nga institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa është fakt i njohur publikisht se ky institucion kushtetues ende nuk është krijuar, por janë në vijim e sipër procedurat ligjore për zgjedhjen nga Kuvendi i Republikës së Shqiperisë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

            Sqarojmë gjithashtu se sa i perket pretendimit të ngritur gjatë emisionit në lidhje me qëndrimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për mospërjashtimin e gjyqtares që po gjykon çështjen civile, me palë paditëse Znj. Pajtime Fetahu dhe palë të paditur Televizioni Kombëtar “Klan”, Z.Sajmir Kodra, etj., me objekt: “Shpërblim dëmi”, kërkesa e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për caktim gjyqtari është refuzuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kushtet e mosevidentimit të “mungesës apo padisponueshmërisë ligjore” të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për gjykimin e saj. Në kërkesën e tij, Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndër të tjera, është shprehur se “… në cilësinë e kryetarit të Gjykatës, paraqes pranë KLGJ kërkesën për delegim gjyqtari për gjykimin e kësaj çështje, e cila është një kërkesëpadi që gjykohet me një gjyqtar. Ndonëse në Kodin e Procedurës Civile nuk parashikohet në mënyrë të shprehur ky rast si shkak për heqje dorë të gjyqtarit apo përjashtimit të tij, mendoj se rasti duhet të trajtohet si arsye serioze njëanshmërie në vështrim të nenit 72, pika 6, e K.P.Civile. Sa më lart, unë nuk jam shprehur për kërkesën e përsëritur të gjyqtares për heqje dorë, duke pritur qëndrimin e KLGJ për raste të tilla, nëse do të mbahet i njëjti qëndrim i ish-KLD, apo do të përdoret tjetër standard, referuar edhe qëndrimit të KPK me vendimin nr.95 datë 08.01.2019”.

Në këtë rast, mbeshtetur në të dhënat e prezantuara në kërkesën e Kryetarit të Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke vlerësuar se referuar Kodit të Procedurës Civile, është në kompetencën dhe detyrimin ligjor të kryetarit të gjykatës për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesën e gjyqtares përkatëse për heqjen dorë nga gjykimi i asaj çështjeje gjyqësore konkrete dhe në eventualitet, të çdo gjyqtari të asaj gjykate, për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesa të palëve për përjashtim të gjyqtarit të çështjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor konsideroi se për atë çështje gjyqësore të veçantë nuk identifikohej ndonjë nevojë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, përsa kohë nuk rezultonte dhe as referohej për “mungesën apo padisponueshmërinë ligjore të gjyqtarëve të kësaj gjykate”, sikurse kërkohet nga paragrafi III, pika 2, e Vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për rregullat dhe procedurën e caktimit të gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme”, në bazë të të cilit është paraqitur kërkesa në rastin konkret nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në vendimin e tij, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka tërhequr vëmendjen se, referuar nenit 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe Ligjit Nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ai është organi qeverisës i pushtetit gjyqësor, por nuk është organ gjyqësor, ndërsa pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, sikurse përcaktohet në nenin 135/1 te Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në Ligjin Nr.98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”. Për më tepër, në nenin 97, pika 2, të Ligjit Nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, përcaktohet shprehimisht se Në asnjë rast, Këshilli nuk mund të japë udhëzime në lidhje me zgjidhjen e një çështjeje gjyqësore konkrete ose të një grupi çështjesh”. Mbi këto konsiderata, Keshilli i Lartë Gjyqesor i ka referuar Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan se mbetej nëdetyrimin e tij ligjor që të ushtronte kompetencat gjyqësore për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesën e gjyqtares përkatëse për heqjen dorë nga gjykimi i asaj çeshtjeje gjyqësore konkrete dhe në eventualitet, të çdo gjyqtari të asaj gjykate, për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesa të palëve për përjashtim të gjyqtarit të çështjes, ku vetëm në rast “mungese apo padisponueshmërie ligjore” të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për gjykimin e asaj çështjeje gjyqësore të veçantë, mund t’i drejtohej Këshillit të Lartë Gjyqësor për caktimin e një gjyqtari, nga një gjykatë tjetër, e ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme.

Duke shprehur konsideratën për median vizive dhe të shkruar, përfshirë këtu edhe emisionet investigativë, për kontributin në evidentimin e mjaft shqetësimeve me të cilat publiku i gjerë përballet me veprimtarinë e funksionarëve dhe nëpunësve të institucioneve publike, në veçanti ato që lidhen me veprimtarinë e gjyqtarëve dhe të nëpunësve civilë gjyqësorë, Këshilli i Lartë Gjyqësor beson në mirëkuptimin e këtij qëndrimi dhe e konsideron median si partnere të rëndësishme në funksion të transparencës dhe të rritjes së besimit të publikut tek drejtësia.

 

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, e shoqëruar nga zëvendëskryetari Z. Maksim Qoku, anëtaret Znj. Bruna Kadi dhe Znj. Brikena Lubonja (Ukperaj) mori pjesë sot në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Ndihmës Administratorit të USAID Z. Brock Bierman.

Në përfundim të takimit, Ndihmës Administratori i USAID Z. Brock Bierman deklaroi se: “Nuk ka asnjë dyshim se, gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në forcimin e themeleve të saj ekonomike dhe demokratike. USAID ka mbështetur me krenari këto përpjekje dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë. Përparimi i mëtejshëm ka nevojë për përkushtim të vazhdueshëm ndaj reformës në drejtësi. Populli shqiptar meriton institucione transparente, sidomos institucione gjyqësore të pavarura që respektojnë zbatimin e ligjit. Korrupsioni pengon integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në institucione dhe tregje rajonale e botërore. Ai gjithashtu shkurajon investimet në sektorin privat. Integrimi dhe investimet janë kritike për zhvillimin e qëndrueshëm të këtij vendi. Zhvillimi i bazuar në sipërmarrje, themeli i qëndrueshmërisë ekonomike afatgjatë të çdo vendi, varet nga zbatimi i drejtë, i parashikueshëm dhe transparent i ligjit. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të ndihmojë shqiptarët në betejën e tyre për të rikthyer besimin në institucionet e drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit është lufta e të gjithëve”.

Në këtë kontekst, Ndihmës Administratori i USAID Z. Brock Bierman, u shpreh se: “Këshilli i Lartë Gjyqësor i Shqipërisë është në pararojë të këtyre përpjekjeve. Shtetet e Bashkuara e mbështesin me forcë këtë Këshill dhe punën e tij. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Këshillin ndërsa çon përpara këto reforma. Unë i nxis shqiptarët kudo që ndodhen që të mbështesin këto reforma, të mbështesin këta këshilla dhe pres me kënaqësi  ngritjen e një sistemi drejtësie që iu shërben të gjithëve, si dhe i nxis anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të gjithë ata që mbështesin në mënyrë aktive reformat në drejtësi, që të mbeten të palëkundur në zbatimin e kësaj reforme”.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, mori pjesë në aktivitetin e përbashkët me titull: “90 vjetori i Kodit të parë Civil Shqiptar (1929) Përqasje historike dhe aktuale”, organizuar në kuadër të 106 vjetorit të Ditës Kombëtare të Drejtësisë.

Në aktivitetin e organizuar nga Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Misioni EURALUIS V, ishin të pranishëm anëtarë të Gjykatës së Lartë, të gjykatave të Apeleve dhe gjykatave të Rretheve Gjyqësore, magjistratë, pedagogë të Shkollës së Magjistraturës, prokurorë, etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse me këtë rast, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami, u shpreh se përvjetor shënon disa nga arritjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare në 106 vitet e fundit, të cilat lidhen me krijimin e institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë, të cilat krijojnë garancitë institucionale për një pushtet gjyqësor të pavarur, të përgjegjshëm dhe efikas. Në këtë kontekst, Znj. Llagami theksoi se këto arritje nuk janë as fillimi as fundi, por një moment i rëndësishëm historik i cili erdhi si një nevojë sociale dhe si një lëvizje transformuese në sistemin e drejtësisë. Në vijim të fjalës së saj, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami, e konsideroi si tepër të rëndësishme adresimin e sfidave përmes të kuptuarit të mësimeve të nxjerra nga problemet e evidentuara.

Duke u ndalur tek Kodi Civil i vitit 1929, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami u shpreh se në simbolikën e tij sot, ky kod shënon një moment historik për drejtësinë shqiptare i cili është po aq i rëndësishëm sa edhe shpallja e pavarësisë. Në këtë kontekst, në fund të fjalës së saj, Znj. Llagami theksoi se Kodi Civil i vitit 1929, shënon lindjen e një shteti dhe drejtësie moderne bazuar mbi burimet më të avancuara të kohës.

 
 

Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami, morri pjesë në Konferencën përmbyllëse “Shteti i së Drejtës në Europë, Perspektiva, Kërkesat dhe Sfidat për Gjyqësorin Evropian”, e cila zhvillohet në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian në Luksemburg, në datat 13-14 Maj 2019. Ky aktivitet organizohet nga Rrjeti Europian për Trajnimet Gjyqësore.

Gjatë konferencës dy ditore u mbajtën prezantime, analiza dhe përmbledhje raportimesh në lidhje me seminaret e zhvilluara me këtë tematike si dhe u diskutuan në grupe pune, idetë e reja për forcimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet punës së Këshillave Gjyqësorë, Institucioneve të Trajnimeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Si pjesë e këtij aktiviteti, Znj. Llagami ndoqi punimet e një seance gjyqësore pranë Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

 
 

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, së bashku me kryetarin e KLP-së, Z. Gent Ibrahimi, ndodhet në Bukuresht, Rumani, në kuadër të disa takimeve pune në datat 16-17 Maj.

Gjatë kësaj vizite dy ditore tepër të rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave të përbashkëta dhe sfidave në administrimin e sistemit gjyqësor, Kryetarja e KLGJ-së, Znj Llagami zhvilloi takime me Znj. Tarcea Iulia, Kryetare e Gjykatës së Lartë të Kasacionit, Z. Nistor Calin, Drejtues i Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion, Z. Nicolae Solomon Zëvendës/President i Këshillit Superior të Magjistraturës etj.

Në takimet e zhvilluara, bashkëbiseduesit e vendosën theksin veçanërisht në masat konkrete për përmirësimin e efikasitetit të gjykatave forcimin e pavarësisë gjyqësore dhe luftës kundër korrupsionit.

Gjithashtu, përfaqësuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në Rumani, u njohën mbi ecurinë e reformës në drejtësi, si dhe pritshmërinë e lartë të publikut në sistemin e ri të drejtësisë.

 
 

Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, sot më datë 20.05.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi disa vendime me rëndësi. Këshilli miratoi rregullat që rregullojnë në mënyrë më të detajuar sesi do të funksionojë mbledhja e Këshillit të Gjykatës, organ i cili që do të ngrihet pranë çdo gjykate në Republikën e Shqipërisë. Pas miratimit të këtyre rregullave i hapet rruga funksionimit të Këshillit të Gjykatës që përbën një mënyrë të re të administrimi të gjykatave. Në vijim të mbledhjes plenare, anëtarët e KLGJ shqyrtuan dhe miratuan rregulla të hollësishme lidhur me kriteret dhe procedurat për dhënien nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të lejeve të papaguara, për të gjithë gjyqtarët që ushtrojnë funksionin si pjesë e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Duke mbajtur në konsideratë shqyrtimin e çështjeve brenda afateve të arsyeshme kohore, KLGJ vendosi të caktoi 91 gjyqtarë për gjykimin e 70 (shtatëdhjetë) çështjeve të akumuluara në gjykata, si pasojë e heqjes dorë nga gjyqtarë të caktuar, pranimit të kërkesave për përjashtim nga Kryetarët e Gjykatave, si dhe vendimmarrjet e mëparshme apo konfliktet e interesit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 23.05.2019, me propozimin e Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, diskutoi dhe miratoi rregulla të hollësishme lidhur me procedurat për verifikimin e kushteve dhe kritereve për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për emërimin dhe ngritjen në detyrë të kandidatëve gjyqtarë, për riemërimin e kandidatëve ish-gjyqtarë dhe për emërimin e kandidatëve gjyqtarë dhe jogjyqtarë në Gjykatën e Lartë, si dhe për verifikimin e pasurisë dhe të figurës së këtyre kandidatëve.

Kontribut të çmuar në hartimin e kësaj rregulloreje të rëndësishme, kanë dhënë edhe misionet partnere EURALIUS dhe USAID.

Sot, në datë 24 Maj 2019, Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të dedikuar “Monitorimit të Integritetit Gjyqësor”,  organizuar nga Instituti për Studime Publike e Ligjore në bashkëpunim me organizatat Save the Children dhe Qendrën e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara, në kuadrin e një projekti të financuar nga Bashkimi Evropian. Aktiviteti u përshëndet nga Ambasadori i BE-së, Sh.T.Z Soreca, Kryetari i KLP Z. Ibrahimi, Ministria e Drejtësisë dhe pjesëmarrës të tjerë. 

Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Llagami në fjalën e saj u shpreh se “investimi i përbashkët në promovimin e integritetit të sistemit gjyqësor dhe atij institucional të KLGJ-së është një investim afat-gjatë, frytet e të cilit do t’i shohim në të ardhmen. Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke punuar intesivisht në këto muaj të parë në bashkëpunim të vazhdueshëm si me institucionet e tjera të qeverisjes së sistemit si KLP dhe KED, organet e vetingut, Ministrinë e Drejtësisë, si pjesë e përmbushjes së një strategjie më të gjerë dhe ndërsektoriale të drejtësië si dhe vetë aktorët e gjykatës dhe shoqërisë civile.

Më tej, Kryetarja e KLGJ-së, vendosi theksin tek bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, duke u shprehur se: “në këtë rrugë ne nuk jemi vetëm! Falë mbështetjes së BE, USAID dhe partnerëve të tjerë mendoj se po ecim në drejtimin e duhur drejt standardeve më të larta jo vetëm të proceseve dhe vendimmarrjeve, por edhe të llogaridhënies dhe integritetit”.

 
 
Faqe 2 nga 4