Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

2019 klgj

2019 klgj

Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, sot më datë 30.05.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi udhëzime dhe akte nënligjore, ndër të tjera, si më poshtë vijon:

Në respektim të parashikimeve të përcaktuara në nenin 460 të Kodit të Procedurës Civile, u miratuan rregulla të hollësishme për kalendarin e gjykimit të çështjeve në gjykatat e Apelit. Me miratimin e këtij akti normativ nënligjor, krijohen standarde uniforme për sa i përket shortimit, njoftimit dhe veçanërisht kritereve të përshpejtimin e çështjeve gjyqësore në këto gjykata. Kjo do të kontribuojë në rritjen e efiçencës dhe cilësisë së dhënies së drejtësisë.

Në përputhje me rendin e ditës, anëtarët e KLGJ-së, shqyrtuan dhe miratuan projekt-udhëzimin për caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve të drejtësisë për të mitur. Ky udhëzimdo zbatohet përgjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit të juridiksionit të përgjithshëm dhe synon rritjen e përgjegjshmërisë dhe profesionalizmit në administrimin e çështjeve për të mitur.

Sot, më datë 3 qershor 2019, u organizua tryeza e rrumbullakët për prezantimin dhe konsultimin me të gjithë kryetarët e gjykatave të draft-planit strategjik të veprimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ky aktivitet i rëndësishëm u mundësua nga Projekti “Drejtësi për të Gjithë” (JFA) i USAID. Në të morën pjesë të gjithë drejtuesit e gjykatave përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, si dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kryetarja e KLGJ-së, znj. Naureda Llagami së bashku me drejtuesen e projektit të USAID, znj. Anne M. Trice përshëndetën këtë event duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre. Më tej kryetarja e KLGJ-së prezantoi metodologjinë e përdorur dhe hapat e ndërmarra për hartimin e këtij dokumenti strategjik i cili është i pari i këtij lloji për organet e qeverisjes së drejtësisë. Ky plan do të orientojë punën e institucionit në dy vitet e ardhshme.

Gjatë takimit disa anëtarë të Këshillit: znj. Naureda Llagami, znj. Birkena Ukperaj, znj. Marcela Shehu, znj. Brunilda Kadi, znj. Fatmira Luli, z. Maksim Qoku, z. Medi Bici, z. Erjon Muharremaj; si dhe disa kryetarë gjykatash: znj. Valbona Durraj, z. Sandër Simoni etj., prezantuan komponentë të ndryshëm të planit strategjik si elementët e vlerave, parimeve, standardeve që do drejtojnë veprimtarinë e KLGJ-së dhe ato të sistemit gjyqësor në përgjithësi. Ata theksuan synimet, objektivat, masat dhe mjetet e realizmit të tyre duke përshirë burimet njerëzore, financiare dhe teknologjinë e informacionit të nevojshme për krijimin dhe konsolidimin e një sistemit gjyqësor transparent, efikas dhe të pavarur.

Ky plan strategjik do t'i nënshtrohet konsultimit publik me shoqërinë civile, donatorët dhe partnerët rajonal e ndërkombëtar. Ai pritet të miratohet gjatë muajit korrik në mbledhjen plenare të KLGJ-së.

 
 
 
 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 05.06.2019, caktoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve për secilin kandidat për gjyqtar të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2018, si dhe për kandidatët për në Programin e Formimit Fillestar të Shkollës së Magjistraturës për vitin akademik 2019-2020. Përcaktimi i relatorëve për verifikimin e kushteve ligjore për kandidatët e sipërcituar u bë përmes shortit të hapur dhe transparent midis anëtarëve të KLGJ-së, z. Ilir Toska, z. Alban Toro, dhe znj. Marçela Shehu, të cilët janë pjesë e Komisionit për Zhvillimin e Karrierës.

Më tej, Këshilli bazuar ne shqetësimin e ngritur nga anëtarët në detyrë të Kolegjit Zgjedhor, si dhe ne kërkesën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, z. Gjin Gjoni,vendosi ndryshimin e vendimit nr. 52 datë 11.10.2018, të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në pikën 1 të tij, duke shfuqizuar togfjalëshin “për funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë”.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta.

Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Këshillin e Lartë Gjyqësor, dhe me mbështetjen e vyer të

Projektit “Drejtësi për të Gjithë” të USAID, po zhvillojnë programin trajnues për kancelarët në detyrë.

Ky program përmban 9 (nëntë) module dhe do të shtrihet në periudhën kohore 6 qershor – 26 korrik 2019.

Sesioni i parë trajtues u organizua në datat 6-7 Qershor 2019 me pjesëmarrjen e Kryetares së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Znj. Naureda Llagami, e cila ndër të tjera ofroi ekspertizë në lidhje me miradministrimin e Gjykatës.

Trajnimi është konceptuar në formën e një aktiviteti gjithëpërfshirës, ku kancelarëve u ofrohen njohuri teorike dhe praktike mbi parimet kryesore të administrimit gjyqësor, efektivitetin dhe risitë në fushën e menaxhimit gjyqësor- duke mbajtur në vëmendje rolin e veçantë të kancelarit në këtë proces. Në qëllimin e këtij trajnimi është dhe njohja me standardet dhe praktikat ndërkombëtare të administrimit gjyqësor. Këto njohuri do t’u shërbejnë kancelarëve për testimin në Shkollën e Magjistraturës lidhur me kualifikimin e tyre profesional pas procesit të verifikimit të kritereve dhe kushteve emërimit, pasurisë dhe figurës nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Trajnimi i kancelarëve do të përmirësojë dhe unifikojë proceset e menaxhimit në gjykatat e vendit, duke promovuar një veprimtari efikase dhe transparente, si një nga synimet parësore të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Asambleja e Përgjithshme e Rrjetit Evropian të Këshillave Gjyqësor (ENCJ), po zhvillon punimet në Bratislava të Sllovakisë në datat 6 dhe 7 qershor 2019. Hapja e Asamblesë u përshëndet nga Presidenti i Rrjetit z. Kees Sterk, Kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Sllovakisë znj. Lenka Prazenkova si dhe nga Ministri i Drejtësisë z. Gabor Gal etj,. Gjate punimeve të Asamblesë u votua unanimisht dhënia e Statusit të Vëzhguesit, Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë. Presidenti i rrjetit z. Kees Sterk i dorëzoi KLGJ-së dokumentin drejtues të organizatës “Statutin, Rregullat dhe Rregulloret e ENCJ” duke i kërkuar Këshillit që të mbrojë vlerat e pavarësisë, paanësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor. Asambleja ndër të tjera diskutoi rezultatet e projekteve të ndryshme të ENCJ-së për vitet 2018-2019. Gjithashtu përfaqësuesit e vendeve anëtare, vendeve me statusin e vëzhguesit si dhe organizatat e tjera që veprojnë në fushën e drejtësisë, punuan për hartimin e Manifestit të Bratislavës së ENCJ. Çështjet që manifesti do të trajtojë janë: - Sigurimi dhe ruajtja e sundimit të ligjit - Promovimi i aksesit në drejtësi dhe i gjykatave të drejta dhe të paanshme - Promovimi i kulturës gjyqësore evropiane Rrjeti Evropian i Këshillave Gjyqësorë, është një organizate jofitimprurëse, i cili mbledh të gjitha Këshillat Gjyqësorë, ose entitete të ngjashme autonome, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe i përfaqëson ato në BE.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 11.06.2019, shqyrtoi dhe miratoi disa shtesa dhe ndryshime në rregulloren për kriteret dhe procedurën e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit. Ndryshimet në rregulloren e miratuar nga KLGJ me vendimin nr.23, datë 07.02.2019,përmirësojnë kriteret dhe procedurën e transferimit të përkohshëm të gjyqtarëve kur një gjykatë është në nevojë dhe në skemën e delegimit nuk ka gjyqtar të disponueshëm.

Në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor, sot më datë 17.06.2019, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi disa vendime me rëndësi.

Në përputhje me ndryshimet në rregulloren për kriteret dhe procedurën e transferimit të përkohshëm të gjyqtarëve, miratuar mbledhjen e fundit, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së transferimit të përkohshëm dhe shpalljen e disa pozicioneve të lirë për transferim të përkohshëm në Gjykatat e Rrethit Gjyqësor Kukës, Kavajë dhe Kurbin.

Transferimi i përkohshëm erdhi si domosdoshmëri, pasi Gjykatat e Rretheve Gjyqësore, Kurbin, Kukës dhe Kavajë, kanë mbetur me 2 gjyqtarë, duke sjellë vështirësi në gjykimin e çështjeve penale, të cilat, pas ndryshimeve në Kodit të Procedurës Penale, implikojnë në gjykim të paktën tre gjyqtarë, gjyqtarin që shqyrton kërkesat gjatë hetimit paraprak, gjyqtarin e seancës paraprake dhe gjyqtarin që shqyrton themelin e çështjes. Në situatën aktuale, këto gjykata në shumicën e çështjeve penale ka parashtruar kërkesa për caktim gjyqtari, pikërisht për shkak të mungesave të saj në organikë.

Nisur nga përballimi i ngarkesës së punës në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës dhe Shkodër, si edhe pamundësia e plotësimit me gjyqtarë nëpërmjet skemës së delegimit, sipas vendimit nr. 22, datë 07.02.2019 “Mbi miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurën e funksionimit të skemës së delegimit të gjyqtarit”, pasi në skemën e delegimit nuk ka gjyqtarë të disponueshëm, Këshilli vendosi fillimin e procedurës së transferimit të përkohshëm dhe shpalljen e një pozicioni të lirë për transferim të përkohshëm në secilën gjykatë.

Gjithashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 21.06.2019, mbledhjen e radhës në të cilën diskutoi dhe miratoi disa vendime me rëndësi, në kuadër të mirëfunksionimit të sistemit gjyqësor.

Në përputhje me rendin e ditës, bazuar edhe në argumentet e pasqyruara në relacionin e Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, KLGJ miratoi përsëritjen me 1 (një) vit të transferimit përkohshëm për 3 gjyqtarë. Më konkretisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë u transferuan përkohësisht, për një periudhë 1 (një) vjeçare gjyqtarët Diamela Goxha dhe Genti Dokollari, ndërsa në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës, u transferua për një periudhë të përkohshme, 1 (një) vjeçare gjyqtarja Rezarta Paja Aliu.

Gjithashtu, me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi përsëritjen e transferimit të përkohshëm, deri më datë 15.09.2019, të gjyqtarit Rexhep Karaj, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, si dhe të gjyqtarit Gentian Marku, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor bazuar në kërkesat e gjykatave të ndryshme vendosi caktimin e gjyqtarëve për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ato ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.

Sot, më datë 25 qershor 2019, u organizua tryeza e rrumbullakët për prezantimin dhe konsultimin me përfaqësues të shoqërisë civile e projekt-planit strategjik dhe atij të veprimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për sistemin gjyqësor 2019-2020. Ky aktivitet i rëndësishëm u mundësua nga Projekti “Drejtësi për të Gjithë” (JFA) i USAID.

Në të morën pjesë rreth 15 përfaqësues të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e drejtësisë dhe mbrojnë të drejtat e grupeve në nevojë, si dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Kryetarja e KLGJ-së, Znj. Naureda Llagami së bashku me drejtuesen e projektit të USAID, znj. Anne M. Trice përshëndetën këtë event duke falenderuar të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre. Më tej kryetarja e KLGJ-së prezantoi metodologjinë e përdorur dhe hapat e ndërmarra për hartimin e këtyre dokumenteve strategjike. Ky aktivitet i parë konsultativ shërben për të vendosur një urë të munguar komunikimi midis Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organizatave të shoqërisë civile në rrugëtimin për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavaruar, të paanshëm, me integritet, efikas dhe më pranë qytetarit, duke e kthyer bashkepunimin me shoqerinë civile në modus operandis të veprimtarisë institucionale të KLGJ-së.

Gjatë takimit disa anëtarë të Këshillit: Znj. Naureda Llagami, Znj. Brikena Ukperaj, Znj. Marçela Shehu, Znj. Brunilda Kadi, Znj. Fatmira Luli, Z. Maksim Qoku, Z. Medi Bici, Z. Erjon Muharremaj, si dhe disa kryetarë gjykatash: Znj. Valbona Durraj, Z. Sandër Simoni etj., prezantuan komponentë të ndryshëm të planit strategjik si vlerat, parimet, standarded që do të drejtojnë veprimtarinë e KLGJ-së dhe ato të sistemit gjyqësor në përgjithësi në dy vitet e ardhshme.

Duke vlerësuar pozitivisht organizimin e këtij eventi nga KLGJ, përfaqësues të shoqërisë civile dhanë disa sugjerime dhe komente mbi dokumentet e sipërpërmendura.

 

Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi sot më datë 05.07.2019, mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi dhe miratoi një ndër vendimet më të rëndësishme që nga momenti i konstituimit të tij, atë “Mbi kriteret e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve jo-gjyqtarë dhe procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë”.

Krahas 101 vendimmarrjeve për çështje thelbësore që kërkonin përgjigje emergjente, për të lejuar funksionimin normal të sistemit gjyqësor në tërësi - duke filluar nga domosdoshmëria e mirëfunksionimit të gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apelit që ndikojnë drejtpërdrejtë në aksesin e qytetarëve në drejtësi, Keshilli i ka trajtuar me prioritet prej disa muajsh dhe çështjen e emërimit te anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Institucioni ka punuar intensivisht për hartimin e akteve të nevojshme, duke u siguruar qe hapat  e ndërmarra të jenë të kujdesshëm dhe të konsultuar gjerësisht dhe në mënyrë të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që çdo vendimmarrje t’i shërbejë zgjidhjes së situatës në këtë gjykatë, frymës së reformës dhe instalimit përfundimtar të sundimit të ligjit. Projekt-akti i miratuar sot ka trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi çdo element të procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, duke mundësuar kritere të qarta dhe transparente, një vlerësim objektiv, si dhe një procedure  të saktë e cila garanton të drejtat e kandidatëve në këtë proces.

Ky vendim, pason aktin që KLGJ miratoi pak kohë më parë, i cili përcakton procedurën që do të ndiqet për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve për gjyqtarë, për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve dhe për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, duke hapur kështu rrugën për nisjen e procesit të shpalljes së garës së rekrutimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve jogjyqtarë për emërimin në Gjykatën e Lartë.

Në përputhje me rendin e ditës, Këshilli vendosi shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, kohëzgjatjen, kriteret dhe procedurën e komandimit, si dhe miratoi listat emërore të kandidatëve që kanë plotësuar kriteret e pranimit në Programin e Formimit Fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2019-2020, për Këshilltarë dhe Ndihmës Ligjorë. Në vijim të mbledhjes, Këshilli caktoi relatorët për verifikimin e kushteve dhe kritereve për secilin kandidat për gjyqtar të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2019. Gjithashtu, Këshilli miratoi deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit, të gjyqtares Ema Gashi, për shkak të dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit.

Sot, më datë 8 korrik 2019, u organizua tryeza e rrumbullakët për prezantimin dhe konsultimin me Ministren e Drejtesise Znj. Etilda Gjonaj, dhe përfaqësues të kësaj ministrie, i draft-planit strategjik dhe atij të veprimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ky aktivitet i rëndësishëm u mbështet nga Projekti “Drejtësi për të Gjithë” (JFA) i USAID.

Kryetarja e KLGJ-së, znj. Naureda Llagami së bashku me drejtuesen e projektit të USAID, znj. Anne M. Trice përshëndetën këtë tryeze pune duke falënderuar Ministren e Drejtësisë dhe stafin e saj për përgjigjen pozitive ndaj ftesës për konsultim. Më tej kryetarja e KLGJ-së prezantoi metodologjinë e përdorur dhe hapat e ndërmarra për hartimin e këtij dokumenti strategjik i cili është i pari i këtij lloji për organet e qeverisjes së drejtësisë por që ka qenë ngushtë i koordinuar dhe i përputhur me Strategjinë Sektoriale të Sistemit të Drejtësisë dhe atë për zhvillim e integrim të miratuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare. Ky plan do të orientojë punën e institucionit në dy vitet e ardhshme.

Gjatë takimit anëtarë të Këshillit prezantuan komponentë të ndryshëm të planit strategjik.

Ministria e Drejtesise duke përgëzuar KLGj për punën e kryer në hartimin e planit strategjik si një plan që rrit parashikueshmërinë e Vendimarrjes së KLGj ndaj publikut parashtroi dhe disa sugjerime dhe komente mbi dokumentet e sipërpërmendura me qëllim bashkërendimin e masave dhe zbatimin efikas të reformës në drejtësi, si një pasaportë që i hap rrugë çeljes së negociatave me BE

Faqe 3 nga 6