Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Qëndrim në lidhje me materialin e transmetuar në emisionin “STOP”-3.05.2019

Në datën 02.05.2019, gjatë transmetimit të emisionit investigativ “STOP” në TV Klan, janë konstatuar informacione të pasakta në lidhje me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, që besojmë se janë rrjedhojë e interpretimit të gabuar të legjislacionit që rregullon veprimtarinë e këtij institucioni kushtetues. Këshilli i Lartë Gjyqësor sqaron opinionin publik se në veprimtarinë e tij udhëhiqet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e saj.

            Sjellim në vëmendjen e opinionit publik se Këshilli i Lartë Gjyqësor me shkresën e tij nr.239/1 prot., datë 31.01.2019, drejtuar Emisionit “Stop” të Televizionit Klan, ka sqaruar gjerësisht se shqyrtimi i kërkesës së tij për hetimin disiplinor apo për pezullimin nga detyra të gjyqtares Pajtime Fetahu për shkak të pretendimeve për kryerjen nga ana e saj të shkeljeve disiplinore gjatë ushtrimit të detyrës si gjyqtare, nuk është në kompetencën e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Gjithashtu, Keshilli i Lartë Gjyqesor ka sqaruar se nuk mund të ndërmerrte masën e pezullimit nga detyra të gjyqtares mbi bazë diskrecioni, parashikuar në nenin 152 të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, përsa kohë kjo dispozitë ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 34, datë 10.04.2017.

            Në lidhje me sa në emision u adresua për zbatimin e dy standardeve nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor, bëjmë me dije se në rastin e gjyqtarit Roland Hysi, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur pezullimin e detyrueshëm nga detyra, bazuar në nenin 140 të Kushtetutës, në nenin 151, pika 1, shkronja “a” dhe në nenin 155 të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në kushtet kur ndaj tij, sipas informacionit zyrtar të marrë, Gjykata e Shkallës së Parë Për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”. Ndërsa për gjyqtaren Pajtime Fetahu, deri më sot, Keshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka marrë asnjë informacion që ndaj saj të ketë filluar ndonjë procedim penal, në kuadër të të cilit, për këtë gjyqtare, gjykata të këtë caktuar masë sigurimi personal, “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”, për kryerjen e një vepre penale, apo që kjo gjyqtare të ketë marrë cilësinë e të pandehurit për një krim të rëndë të kryer me dashje. Po ashtu, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka marrë asnjë informacion që ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu të ketë filluar, sipas ligjit, një procedim disiplinor, procedim ky që mund të fillojë vetëm nga institucioni i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa është fakt i njohur publikisht se ky institucion kushtetues ende nuk është krijuar, por janë në vijim e sipër procedurat ligjore për zgjedhjen nga Kuvendi i Republikës së Shqiperisë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

            Sqarojmë gjithashtu se sa i perket pretendimit të ngritur gjatë emisionit në lidhje me qëndrimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për mospërjashtimin e gjyqtares që po gjykon çështjen civile, me palë paditëse Znj. Pajtime Fetahu dhe palë të paditur Televizioni Kombëtar “Klan”, Z.Sajmir Kodra, etj., me objekt: “Shpërblim dëmi”, kërkesa e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për caktim gjyqtari është refuzuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kushtet e mosevidentimit të “mungesës apo padisponueshmërisë ligjore” të gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për gjykimin e saj. Në kërkesën e tij, Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndër të tjera, është shprehur se “… në cilësinë e kryetarit të Gjykatës, paraqes pranë KLGJ kërkesën për delegim gjyqtari për gjykimin e kësaj çështje, e cila është një kërkesëpadi që gjykohet me një gjyqtar. Ndonëse në Kodin e Procedurës Civile nuk parashikohet në mënyrë të shprehur ky rast si shkak për heqje dorë të gjyqtarit apo përjashtimit të tij, mendoj se rasti duhet të trajtohet si arsye serioze njëanshmërie në vështrim të nenit 72, pika 6, e K.P.Civile. Sa më lart, unë nuk jam shprehur për kërkesën e përsëritur të gjyqtares për heqje dorë, duke pritur qëndrimin e KLGJ për raste të tilla, nëse do të mbahet i njëjti qëndrim i ish-KLD, apo do të përdoret tjetër standard, referuar edhe qëndrimit të KPK me vendimin nr.95 datë 08.01.2019”.

Në këtë rast, mbeshtetur në të dhënat e prezantuara në kërkesën e Kryetarit të Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke vlerësuar se referuar Kodit të Procedurës Civile, është në kompetencën dhe detyrimin ligjor të kryetarit të gjykatës për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesën e gjyqtares përkatëse për heqjen dorë nga gjykimi i asaj çështjeje gjyqësore konkrete dhe në eventualitet, të çdo gjyqtari të asaj gjykate, për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesa të palëve për përjashtim të gjyqtarit të çështjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor konsideroi se për atë çështje gjyqësore të veçantë nuk identifikohej ndonjë nevojë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, përsa kohë nuk rezultonte dhe as referohej për “mungesën apo padisponueshmërinë ligjore të gjyqtarëve të kësaj gjykate”, sikurse kërkohet nga paragrafi III, pika 2, e Vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për rregullat dhe procedurën e caktimit të gjyqtarit për gjykimin e një çështjeje gjyqësore të veçantë, në një gjykatë tjetër, të ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme”, në bazë të të cilit është paraqitur kërkesa në rastin konkret nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në vendimin e tij, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka tërhequr vëmendjen se, referuar nenit 147 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe Ligjit Nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ai është organi qeverisës i pushtetit gjyqësor, por nuk është organ gjyqësor, ndërsa pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, sikurse përcaktohet në nenin 135/1 te Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe në Ligjin Nr.98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”. Për më tepër, në nenin 97, pika 2, të Ligjit Nr.115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, përcaktohet shprehimisht se Në asnjë rast, Këshilli nuk mund të japë udhëzime në lidhje me zgjidhjen e një çështjeje gjyqësore konkrete ose të një grupi çështjesh”. Mbi këto konsiderata, Keshilli i Lartë Gjyqesor i ka referuar Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan se mbetej nëdetyrimin e tij ligjor që të ushtronte kompetencat gjyqësore për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesën e gjyqtares përkatëse për heqjen dorë nga gjykimi i asaj çeshtjeje gjyqësore konkrete dhe në eventualitet, të çdo gjyqtari të asaj gjykate, për të shqyrtuar dhe vendosur për kërkesa të palëve për përjashtim të gjyqtarit të çështjes, ku vetëm në rast “mungese apo padisponueshmërie ligjore” të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për gjykimin e asaj çështjeje gjyqësore të veçantë, mund t’i drejtohej Këshillit të Lartë Gjyqësor për caktimin e një gjyqtari, nga një gjykatë tjetër, e ndryshme nga ajo ku ushtron funksionin në mënyrë të përhershme.

Duke shprehur konsideratën për median vizive dhe të shkruar, përfshirë këtu edhe emisionet investigativë, për kontributin në evidentimin e mjaft shqetësimeve me të cilat publiku i gjerë përballet me veprimtarinë e funksionarëve dhe nëpunësve të institucioneve publike, në veçanti ato që lidhen me veprimtarinë e gjyqtarëve dhe të nëpunësve civilë gjyqësorë, Këshilli i Lartë Gjyqësor beson në mirëkuptimin e këtij qëndrimi dhe e konsideron median si partnere të rëndësishme në funksion të transparencës dhe të rritjes së besimit të publikut tek drejtësia.