Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

THIRRJE PËR APLIKIM PËR TRANSFERIM TË PËRKOHSHËM NË GJYKATËN ADMINISTRATIVE TË SHKALLËS SË PARË SHKODËR

Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenin 46 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në vendimin nr. 23, datë 07.02.2019 të KLGJ-së “Mbi miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurën e transferimit të përkohshëm të gjyqtarit”, dhe në kërkesën e kryetares së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, në mbledhjen e datës 24.04.2019, me vendimin nr. 60, vendosi ndër të tjera, (i) të shpallë një pozicion të lirë të përkohshëm për transferim pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, (ii) të përcaktojë Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe gjykatat e rretheve gjyqësore Lezhë dhe Shkodër, si gjykata nga të cilat do të kryhet transferimi i përkohshëm i një gjyqtari për të gjykuar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër.

Bazuar në këtë vendim, Këshilli i Lartë Gjyqësor, fton për dhënien e pëlqimit për transferim të përkohshëm në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, gjyqtarët e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe gjyqtarët e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, të cilët nuk janë nën efektet e një mase disiplinore, zbatimi i të cilës mund të shmanget për shkak të përfshirjes në procedurën e transferimit.

Afati për dhënien e pëlqimit për transferim të përkohshëm në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, është 2 (dy) javë nga dita e shpalljes në faqjen zyrtare të internetit të KLGJ-së.

Gjyqtarët që japin pëlqimin për transferim të përkohshëm, plotësojnë formularin/model përkatës për dhënien e pëlqimit, parashikuar në rregulloren për kriteret dhe procedurën e transferimit të përkohshëm.