Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr. 223, datë 31.01.2008

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 147, të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, të Ligjit Nr. 8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, të Rregullores së datës 21.02.2003 Për Procedimin Disiplinor të Gjyqtarëve, në mbledhjen e tij, të datës 31.01.2008,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Pasi diskutoi për kryerjen e një inspektimi të gjyqtarëve në disa gjykata të rretheve gjyqësore dhe të apeleve, në përfundim vendosi që të ngarkojë Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për kryerjen e një inspektimi tematik, për një periudhë prej gjashtë muajsh, me objekt inspektimin e zhvillimit të seancave gjyqësore në respektimin e solemnitetit gjyqësor, reflektimit të etikës gjyqësore, zhvillimit të gjykimeve në orar dhe në përgjithësi të disiplinës në punë, nëpër këto gjykata si më poshtë :
1- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër
2- Gjykata e Apelit Shkodër
3- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë
4- Gjykata e Apelit Tiranë
5- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës
6- Gjykata e Apelit Durrës
7- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier
8- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë
9- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë
10-Gjykata e Apelit Korçë
11-Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan
12- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë
13- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër
14- Gjykata e Apelit Gjirokastër
15- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat
16- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin
17- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë
19- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë
20- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje
21- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat
22- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë

2. a- Pasi u njoh me kërkesën për dorëheqje të parevokueshme nga detyra e kryetarit të gjykatës, të Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan Bujar Musta, konstatoi faktin e dorëheqjes dhe miratoi vakancën në këtë funksioni drejtues në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

b- Pasi shqyrtoi kërkesën e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan Bujar Musta, për dhënie lejeje pa të drejtë page për një periudhë 3 (tre) javore, duke filluar nga 31.01.2008, për kryerjen e veprimeve të nevojshme, për shkak të fitimit të llotarisë amerikane, vendosi ta miratojë atë.

c- Pasi shqyrtoi kërkesën e gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Brunilda Kasmi, për dhënie lejeje pa të drejtë page për një periudhë 6 (gjashtë) mujore, për përkujdesje shëndetësore ndaj fëmijës, vendosi ta miratojë atë.

3. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

4. Shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtares dhe Kryetares së Gjykatës së Apelit Vlorë Gjinovefa Gaba dhe, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, vendosi që sipas kërkesës së propozuar nga Ministri i Drejtësisë, kjo gjyqtare të shkarkohet nga detyra.

5. Vendosi të delegojë gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Vlorë, Zonjën Alma Liçaj, për të kryer përkohësisht edhe detyrën e kryetares së kësaj gjykate.

6. Vendosi të shtyjë shqyrtimin e procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Vlorë, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi për në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË