Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 224, datë 08.02.2008

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 147, të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, të Ligjit Nr. 8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, të Rregullores së datës 21.02.2003 Për Procedimin Disiplinor të Gjyqtarëve, në mbledhjen e tij, të datës 08.02.2008,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Pasi diskutoi mbi materialin e përgatitur nga grupi i punës lidhur me përcaktimin (kufizimin) e mandatit të kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve, në përfundim vendosi që :

a- Të miratojë projektvendimin "Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr.214/2, datë 12.07.2007 "Për funksionet drejtuese në Gjykata", i cili konsiston në përcaktimin e periudhës (mandatit) prej katër vjetësh të qëndrimit në një funksion drejtues, për gjyqtarët që emërohen në këto funksione.
b- Të konstatojë mbarimin e mandatit të :
1- Kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Fatime Velçani
2- Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, Kastriot Selita
3- Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, Artan Laze
4- Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Durim Kadiu
5- Kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, Ardiana Bera
6- Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, Granit Qypi
7- Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, Gramoz Levanaj
8- Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, Jak Ndoka
9- Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, Ali Koleci
10- Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Liradin Lila
11- Kryetarit të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, Tomor Skreli
12- Kryetarit të Gjykatës së Apelit Korçë, Stavri Kallço
13- Kryetarit të Gjykatës së Apelit Ushtarak, Musa Halili
14- Kryetarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Vangjel Kallço
c- Kryetarët e gjykatave, të sipërshënuar, të cilëve u ka mbaruar mandati, do të vazhdojnë ushtrimin e këtij funksioni, deri në zgjedhjen e kandidaturës për ushtrimin e funksionit drejtues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
d- Të shpallen vendet vakante për kryetar gjykate, në gjykatat e rretheve gjyqësore : Berat, Dibër, Gjirokastër, Kavajë, Krujë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Mat, Pogradec, si dhe në gjykatat e apeleve : Gjirokastër, Korçë, Apeli Ushtarak dhe Apeli për Krime të Rënda.
e- Të diskutojë rreth rishikimit të kritereve të emërimit të gjyqtarëve në funksionet drejtuese (kryetarë, zëvendëskryetarë), në një mbledhje të afërt të Këshillit.

2. Shqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë Vasil Hanxhari dhe, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, vendosi që sipas kërkesës së propozuar nga Ministri i Drejtësisë, ky gjyqtar të shkarkohet nga detyra.

3. Vendosi të shtyjë shqyrtimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë, Sokol Ngresi për në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

4. Pasi diskutoi lidhur me kalendarin dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Analizat e veprimtarisë së Gjykatave për vitin 2007, pas sugjerimeve edhe të anëtarëve, vendosi ta miratojë atë.

5. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË