Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 225, datë 20.02.2008

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 147, të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, të Ligjit Nr. 8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, të Rregullores së datës 21.02.2003 Për Procedimin Disiplinor të Gjyqtarëve, në mbledhjen e tij, të datës 20.02.2008,

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Pasi diskutoi lidhur me rishikimin e kritereve për emërimin e kryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve, duke theksuar domosdoshmërinë e ndjekjes së një metodike përzgjedhjeje sa më shkencore dhe objektive për emërimin e kryetarëve të gjykatave, në përfundim, vendosi ngritjen e një grupi pune të përbërë nga anëtarët e Këshillit, Shkëlqim Miri, Edmond Islamaj dhe Admir Thanza. Ky grup do të hartojë një draft ku të përcaktohen procedura specifike për emërimin e kryetarëve, duke marrë parasysh propozimin për prezencën gjatë procesit të përzgjedhjes të grupeve të interesit si: avokatë, gjyqtarë, prokurorë, intelektualë, ekspertë të së drejtës, pedagogë dhe shumë përfaqësues të tjerë të komunitetit. Materiali do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.

2. Pasi diskutoi rreth Projektvendimit "Për miratimin e tematikës së kontrollit të kryetarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apelit ", vendosi ta miratojë atë, duke theksuar që, për zbatimin e tij Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë duhet të ngrejë një grup pune të përbërë nga inspektorë të këtij Inspektorati të cilët duhet të mbështeten në Vendimin Nr.214/2, datë 12.03.2007 dhe Nr.219/7, datë 17.12.2007 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

3. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

4. Shqyrtoi kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Vlorë Sokol Ngresi, për kryerjen e akteve dhe sjelljeve që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, dhe vendosi që, sipas kërkesës së propozuar, ky gjyqtar të shkarkohet nga detyra.

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË

20.02.2008