Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 227, datë 28.03.2008

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 147, të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, të Ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008, "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", të Ligjit Nr. 8502, datë 30.06.1999 "Për Krijimin e Qendrës së Publikimeve Zyrtare" i ndryshuar, në mbledhjen e tij, të datës 28.03.2008,

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Pasi mori në shqyrtim projektvendimin "Për angazhimin e gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë në procesin e mësimdhënies" së bashku me relacionin përkatës, pas diskutimesh vendosi shtyrjen e shqyrtimit të mëtejshëm të kësaj pike të rendit të ditës, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.

2. Pasi diskutoi rreth Projektvendimit "Për funksionin drejtues në gjykata ", vendosi miratimin në parim, nen për nen dhe në tërësi të këtij projektvendim.

3. a- Konstatoi mbarimin e mandateve të kryetarëve të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Sarandë, Vlorë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në datën 20 Maj 2008, përkatësisht Z. Rasim Doda, Z. Artur Malaj dhe Z. Sandër Simoni.
b- Vendosi të shpallë vendin vakant për kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

4. Pasi shqyrtoi kërkesën ankimore të Kryetarit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Z. Vangjel Kallço, mbi shfuqizimin e dispozitës së vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që lidhet me limitimin e mandatit të kryetarit të kësaj gjykate në katër vjet dhe konstatimin e mbarimit të mandatit të këtij gjyqtari, si dhe relacionin e përgatitur lidhur me këtë kërkesë ankimore, në përfundim, vendosi rrëzimin e kërkesës.

5. a. Konstatoi mbarimin e mandatit të dy inspektorëve të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë: Znj. Mine Progonati dhe Z. Kudret Kopo.
b. Vendosi të shpallë dy vende vakante për inspektorë në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
c. Vendosi që inspektorët Mine Progonati dhe Kudret Kopo të qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e dy inspektorëve të tjerë.

6. Pas diskutimeve mbi zbatimin e ligjit të ri Nr. 9877, datë 18.02.2008, "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", lidhur me:
1- zbatimin e dispozitës për suprimimin e gjykatave ushtarake dhe gjetja e zgjidhjes për sistemimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate
2- zbatimin e nenit 44, pika 2 të këtij ligji për:
a- hartimin e akteve normative: mbi caktimin e procedurave për ndarjen e çështjeve gjyqësore me short (në zbatim të nenit 9 të ligjit të sipërcituar)
b- përcaktimin e kritereve dhe mënyrën e delegimit të gjyqtarëve (në zbatim të nenit 21, pika 2 të ligjit të sipërcituar),
në përfundim vendosi, ngritjen e grupit të punës, të përbërë nga anëtarët e Këshillit: Z. Armando Subashi, Znj. Altina Xhoxhaj dhe Znj. Dhurata Haveri, të cilët do të përgatisin një material për çështjet e sipërcituara, që do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.

7. a- Në zbatim të ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008, "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", konstatoi suprimimin e pozicionit të nënkryetarëve të gjykatave.
b- Vendosi të delegojë gjyqtarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan Zoti Arben Vrioni, për të kryer përkohësisht edhe detyrën e kryetarit të kësaj gjykate.

8. a- Pasi shqyrtoi kërkesën e gjyqtarit dhe Kryetarit në detyrë të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Durim Kadiu, lidhur me punësimin e tij në një institucion tjetër, në përputhje me nenin 28, me titull "Ruajtja e statusit të gjyqtarëve që shërbejnë në institucione të tjera", vendosi miratimin e kësaj kërkese.
b- Vendosi të delegojë gjyqtaren e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Zonjën Alma Bejte, për të kryer përkohësisht edhe detyrën e kryetares së kësaj gjykate.

9. Pasi diskutoi lidhur me caktimin e një përfaqësuesi të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në përbërje të Këshillit të Qendrës së Publikimeve Zyrtare, vendosi të caktojë Zotin Admir Thanza, si anëtar në përbërje të Këshillit të Qendrës së Publikimeve Zyrtare.

10. Shqyrtoi kërkesat për delegime të gjyqtarëve dhe në përfundim vendosi:
a - të bëjë delegimet sipas propozimeve të Ministrit të Drejtësisë.
b - të bëjë delegimet sipas nenit 21, pika 2 të Ligjit Nr.9877, datë 18.02.2008 "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë "

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË

28.03.2008