Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 232, datë 07.07.2008

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 147, të ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, të ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008, "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", të ligjit Nr. 9110, datë 24.07.2003 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda", të ligjit Nr. 8136, datë 31.07.1996 "Për Shkollën e Magjistraturës në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në mbledhjen e tij, të datës 07.07.2008,

 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Pasi dëgjoi relatimin e Ministrit të Drejtësisë, mbi kërkesën e dërguar Presidentit të Republikës nëpërmjet shkresës nr. 4792 prot., datë 02.07.2008 nga Ministri i Drejtësisë, për verifikimin e ushtrimit të detyrës në përputhje me ligjin, nga ana e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe pasi çështja u diskutua nga anëtarët e Këshillit (duke marrë në konsideratë edhe shkresën nr. 1457, datë 26.06.2008 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë), në përfundim vendosi mospranimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë, si të pa bazuar në ligj.

2. Pasi filloi rishqyrtimin e çështjes mbi shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni, në zbatim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese Nr.17, datë 12.11.2004, si dhe pasi dëgjoi parashtrimin e Znj. Mishgjoni, vendosi të shtyjë shqyrtimin e mëtejshëm të kësaj çështjeje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit.

3. Pasi filloi zhvillimin e procedurës për plotësimin e dy vendeve vakante për inspektorë në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas diskutimesh, në përfundim vendosi të rishpallë dy vende vakantë për inspektorë në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

4. Pasi diskutoi lidhur me plotësimin e një vendi vakant për gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, vendosi të shtyjë shqyrtimin e mëtejshëm të kësaj pike të rendit të ditës.

5. Pasi diskutoi rreth problemit të caktimit të numrit të vendeve vakantë për magjistratë, profili gjyqtar, në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2008-2009, në vijim të shkresës së këtij institucioni, Nr. 362 Prot., datë 10.06.2008, drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përfundim vendosi të caktojë 8 (tetë) vende vakantë për kandidatë në profilin "gjyqtar", në konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës për këtë vit akademik.

6. U njoh me raportimin e përfaqësueses ligjore të shtetit shqiptar pranë Organizmave Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, Znj. Suela Mëneri, ku u identifikuan probleme të praktikës së gjyqësorit, sipas praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat bëhen shkak për penalizmin e shtetit, duke theksuar rëndësinë e kësaj çështjeje.

7. Pasi diskutoi lidhur me domosdoshmërinë për caktimin e një grupi pune me anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për hartimin e çështjeve të strategjisë në sektorin e drejtësisë, lidhur me Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si organ kushtetues, si dhe miratimin e strategjisë rajonale, të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, në përfundim vendosi të ngrejë një grup pune të përbërë nga anëtarët e Këshillit: Znj. Altina Xhoxhaj, Z. Armando Subashi, Znj. Dhurata Haveri, Z. Admir Thanza dhe Z. Edmond Islami, të cilët do të përgatisin qëndrimin e Këshillit mbi çështjet e mësipërme.

8. Pasi diskutoi lidhur me domosdoshmërinë për caktimin e një grupi pune me anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për:
a. Hartimin e akteve nënligjore në kompetencë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të ligjit Nr. 9877, datë 18.02.2008, "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", konkretisht hartimin e akteve nënligjore që kanë të bëjmë me sa më poshtë vijon:
- rregulla mbi caktimin e procedurave për ndarjen e çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit;
- rregulla të hollësishme për sistemin e pikëzimit të detyrueshëm për zbatim, në rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për në gjykatën e krimeve të rënda dhe në gjykatat e apelit;
- rregulla për vendosjen e kritereve të vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarit;
- rregulla për përcaktimin e kritereve mbi renditjen e gjyqtarëve në listën e përhershme për efekte të karrierës profesionale;
- rregulla për përcaktimin e kritereve dhe për mënyrën e delegimit të gjyqtarëve nga një gjykatë tek tjetra;
- rregulla në lidhje me solemnitetin e gjykimit dhe veshjen e posaçme të gjyqtarit;
b. Hartimin e akteve nënligjore në kompetencë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në zbatim të ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, e konkretisht hartimi i akteve nënligjore që kanë të bëjnë me sa më poshtë vijon:
- rregullat mbi përbërjen, funksionimin e komisionit të shqyrtimit të kandidatëve konkurrues për plotësimin e vendeve vakante për gjyqtarë, si dhe mbi procedurat e verifikimit dhe të testimit të tyre,
- rregullore për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila përfshin edhe rregullimin e hollësishëm të shqyrtimit të procedimit disiplinor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë,
në përfundim vendosi të ngrejë një grup pune të përbërë nga anëtarët e Këshillit: Znj. Altina Xhoxhaj, Z. Armando Subashi, Znj. Dhurata Haveri, Z. Admir Thanza dhe Z. Edmond Islami. Grupi i punës do të përgatisë një raport në lidhje me çështjet e sipërcituara, i cili më pas do t'i paraqitet Këshillit.

9. Pasi shqyrtoi kërkesat për delegime të gjyqtarëve, vendosi të bëjë delegimet përkatëse.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë

16.07.2008