Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 329, datë 20.05.2013

MBI PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS PËR PËRZGJEDHJEN E KANDIDATËVE PËR GJYQTAR NË GJYKATËN ADMINISTRATIVE TË APELIT

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i mbledhur më datë 20.05.2013, mbështetur në nenin 147 të Kushtetutës, në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë",

i ndryshuar, në ligjin Nr.9877, datë 18.02.2008, "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", në Ligjin Nr.49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative", në vendimin nr.299/1 date 30.11.2013 "Për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit", të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe për të bërë të mundur përzgjedhjen në Gjykatën Administrative të Apelit, të gjyqtarëve me integritet të lartë profesional dhe moral, njëzëri,

 

V E N D O S I :

 

1. Të fillojë procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit mbështetur në Ligjin Nr.49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative" dhe në vendimin nr.299/1 date 30.11.2013 "Për procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit", të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

2. Përzgjedhja e kandidatëve kryhet bazuar në kriteret e mëposhtme:

a. Kandidati të ketë kaluar testimin seleksionues për kandidatët për gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit të zhvilluar në datën 25 Mars 2013 me sukses dhe të ketë marrë të paktën 91 pikë.
b. Kandidati të jetë vlerësuar me pikëzim sipas rregullave të Vendimit nr.269/2 datë 27.09.2010 "Për rregullat e hollësishme për sistemin e pikëzimit të detyrueshëm për zbatim, në rastin e përzgjedhjes së kandidatëve për plotësimin e vendeve vakante në gjykatën e apelit dhe gjykatat për krime të rënda".
c. Kandidati të ketë integritet të lartë moral.

3. Ngarkohet Zëvëndëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që të kërkojë informacion nga Inspektorati Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave nëse janë konstatuar parregullsi në deklarimet e pasurisë apo të konfliktit të interesit të gjyqtarëve të kualifikuar sipas pikës 2/a të këtij vendimi.

4. Ngarkohet Grupi i Pikëzimit, i ngritur me Vendimin nr.303/9 datë 18.01.2013, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të paraqesë raportin me rezultatet e punës së tij referuar kritereve të mësipërme.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

ZËVENDËSKRYETARI

ELVIS ÇEFA