Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 363, datë 18.09.2013

PËR MËNYRËN E PLOTËSIMIT TË VENDEVE NË GJYKATAT ADMINISTRATIVE TË SHKALLËS SË PARË

Këshilli i Lartë Drejtësisë i mbledhur më datë 18.09.2013, mbështetur në nenin 147 të Kushtetutës, në Ligjin Nr.8811, datë 17.05.2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, në ligjin Nr. 49/2012 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative", në ligjin nr.9877, datë 18.02.2008, "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", pasi diskutoi mbi nevojën e plotësimit sa më shpejt të vendeve në Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër (4 vende), Vlorë (4 vende), Shkodër (2 vende) dhe Korçë (2 vende) dhe mënyrën e plotësimit të tyre, me shumicën e votave,

V E N D O S I :

1. Të njoftojë kandidatët për gjyqtarë në gjykatat administrative, të shkallës së parë dhe të apelit, të cilët janë fitues të testimeve përkatës që nuk janë propozuar për emërim nga Këshilli, që brenda datës 30.09.2013, ora 16.00, të paraqesin kërkesat e tyre pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për plotësimin e vendeve për gjyqtarë në :
a) Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, 4 (katër) vende;
b) Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, 4 (katër) vende;
c) Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Korçë, 2 (dy) vende;
ç) Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, 2 (dy) vende.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

ZËVENDËSKRYETARI

ELVIS ÇEFA