Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 404, datë 03.12.2013

PËR INSPEKTIMIN NGA INSPEKTORATI I KËSHILLIT DHE INSPEKTORATI I MINISTRISË SË DREJTËSISË, TË VEPRIMTARISË SË GJYQTARIT SHTJEFËN LLESHI, NË GJYKATËN E RRETHIT GJYQËSOR PUKË

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i mbledhur më datë 03.12.2013, mbështetur në nenin 147 të Kushtetutës, në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, në ligjin nr. 9877, datë 18.02.2008,

"Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në Vendimin nr.227/2 datë 28.03.2008 "Për funksionin drejtues në gjykata" të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke marrë shkas nga situata e rëndë e krijuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, pas publikimit të pamjeve video në një nga emisionet televizive (cikël emisionesh që vijuan në datat 26-29 nëntor 2013), ku publikohen fakte për përfshirje në akte korruptive të një pjese të administratës gjyqësore kryer në ambientet e gjykatës, pamje që krijojnë një dyshim të arsyeshëm se edhe kryetari i asaj gjykate mund të jetë përfshirë në këtë aferë korruptive, si dhe duke konsideruar faktin se pas ngjarjeve të publikuara, që janë edhe pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit administrativ të drejtuesit të saj si dhe duke parë nevojën dhe domosdoshmërinë e një inspektimi të kësaj çështje të trajtuar në media,

 

V E N D O S I :

 

1. Inspektorati i Këshillit të Latë të Drejtësisë dhe Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë të inspektojnë bashkarisht veprimtarinë gjyqësore të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, Shtjefën Lleshi dhe të administratës gjyqësore të asaj gjykate, lidhur me ankesën e bërë publike nga televizioni "Top Channel", për shkelje të etikës dhe mosrespektim formal të ligjit, në shqyrtimin e çështjeve të përmendura në këtë televizion.

2. Rezultatet paraprake të përgatitura nga Inspektorati i KLD-së për verifikimin e datës 02.12.2013 të përfshihen në materialet e inspektimit të përbashkët me qëllim përshpejtimin e këtij procesi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

ZËVENDËSKRYETARI

ELVIS ÇEFA