Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr. 206, datë 26.01.2007

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 147, në Ligjin Nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr. 8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në mbledhjen e tij, të datës 26.01.2007,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Trajtoi problemin e sigurisë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit dhe theksoi nevojën për marrjen e masave konkrete për përmirësimin e situatës duke ndjekur këto hapa:

- Të komunikojë me Këshillin e Ministrave dhe Ministrin e Drejtësisë dhe të ritheksojë situatën dhe nevojën urgjente për ndërmarrjen e nismave për plotësimin e kuadrit ligjor në drejtim të garantimit të jetës së gjyqtarëve, punonjësve të gjykatave dhe palëve në proces si dhe nevojën për shtimin në strukturën organike të gjykatave të personelit përgjegjës për sigurinë, të trajnuar për të menaxhuar sistemet e sigurisë dhe për të ndërhyrë në mënyrë efektive në situata problematike.
- T'i drejtohet Policisë së Shtetit dhe kryetarëve të gjykatave që në zbatim të nenit 36, të Ligjit Nr. 8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë" të bashkëpunojnë në punën për hartimin e një plani masash emergjente për të garantuar sigurinë në ambientet e gjykatave.
- T'i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor që të hartojnë politika të përbashkëta për përmirësimin e infrastrukturës së gjykatave dhe për planifikimin në buxhetet që u akordohen gjykatave, fond të veçantë për pajisjen e gjykatave me sisteme sigurie bashkëkohore.
- T'i kërkojë kryetarëve të gjykatave të rrisin kujdesin për masat e sigurisë dhe në rastet kur cenohet kjo siguri të informojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

2. Shqyrtoi çështjen e analizave të veprimtarisë së gjykatave për vitin 2006 dhe vendosi që këto analiza të zhvillohen gjatë muajit shkurt 2007 dhe pjesëmarrja në to e përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të bëhet sipas ndarjes mbi bazën e zonave të apeleve.

3. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË