Ankesa Online

Ankesa Online

 

Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 213, datë 19.06.2007

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 147, në Ligjin Nr.8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në mbledhjen e tij, të datës 19.06.2007,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Pasi trajtoi çështjen e emërimit të gjyqtarëve në funksione drejtuese në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, vendosi të ngrejë një grup pune të përbërë nga Zëvendëskryetari Ilir Panda dhe anëtarët e Këshillit Edmond Islamaj, Pranvera Strakosha dhe Admir Thanza, për të përgatitur një material në lidhje me këtë problem, që më pas do të trajtohet në një mbledhje të ardhshme të Këshillit.

2. U njoh me deklaratën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Ardian Nuni, lidhur me dorëheqjen e tij nga funksioni i anëtarit të këtij Këshilli, pasi është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Lartë dhe vendosi të deklarojë mbarimin para afatit të mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Ardian Nuni.

3. Pasi shqyrtoi kërkesën për dorëheqje nga detyra e gjyqtarit të zotit Besnik Maho, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, për shkak se do të angazhohet në strukturat juridiko-profesionale të Ministrisë së Drejtësisë, vendosi pranimin e kërkesës dhe lirimin e tij nga detyra e gjyqtarit.

4. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe, pas diskutimeve, vendosi të bëjë delegimet përkatëse.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË