Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 214, datë 12.07.2007

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 147, në Ligjin Nr.8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8136, datë 31.07.1996, "Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.9110, datë 24.07.2003, "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda", në mbledhjen e tij, të datës 12.07.2007,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Pasi diskutoi rreth problemit të vendeve vakante për kandidatë për gjyqtarë në Shkollën e Magjistraturës për vitin akademik 2007-2008, vendosi të mos caktojë vende vakante për gjyqtarë, për konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës për këtë vit akademik.

2. Shqyrtoi problemin e emërimit të gjyqtarëve në funksione drejtuese në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit duke u mbështetur në materialin (që përfshinte edhe trajtimin e problemit të të dhënave dhe materialeve shtesë që mund të identifikohen dhe mblidhen për gjyqtarët konkurrentë) e përgatitur nga grupi i punës i ngritur për këtë qëllim dhe, në përfundim, duke pasqyruar edhe vërejtjet e anëtarëve të Këshillit, vendosi miratimin e Vendimit të ri "Për funksionet drejtuese në gjykata".

3. Pasi trajtoi problemin e riorganizimit të gjykatave pas Dekreteve të Presidentit të Republikës për kompetencat tokësore të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe për krijimin e seksioneve për gjykimin e të miturve, vendosi të ngarkojë Drejtorinë e Karrierës dhe të Vlerësimit pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë që, në bashkëpunim me Drejtorinë e Organizimit Gjyqësor pranë Ministrisë së Drejtësisë, të përgatisin një material ku, në bazë të problematikave të dala, të përcaktohen mënyrat e veprimit që do të ndiqen për riorganizimin dhe aktet përkatëse, me qëllim vënien në zbatim të këtyre dekreteve.

4. Trajtoi problemin e shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të pikës 5, të nenit 42, të Ligjit Nr. 8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë" (masa disiplinore "transferim në një gjykate tjetër të të njëjtit nivel ose të një niveli më të ulët") dhe, duke konstatuar se në shkallë të ndryshme të sistemit gjyqësor janë duke u gjykuar ankimet e disa gjyqtarëve të ndëshkuar me atë masë disiplinore, vendosi t'i drejtohet Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë që, nëpërmjet angazhimit të strukturave të tyre, të ndikojnë pozitivisht në drejtim të zgjidhjes ligjore të situatës së sipërpërmendur.

5. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË