Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Të nderuar qytetarë,

 

Kushdo ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.
Këto të drejta garantohen nga Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në nenin 6, pika 1 dhe nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 42.

Për t'Ju ardhur në ndihmë për mënyrën dhe procedurën e paraqitjes së një ankese Tuaj ndaj një gjyqtari, u jemi përgjigjur disa pyetjeve më të shpeshta të bëra nga Ju...

Vendim Nr. 215, datë 30.08.2007

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 147, në Ligjin Nr.8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8136, datë 31.07.1996, "Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, në mbledhjen e tij, të datës 30.08.2007,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Realizoi procedurën e verifikimit të mandatit të zotit Kreshnik Spahiu, i zgjedhur si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe, pasi dëgjoi dhe shqyrtoi Raportin përkatës të përgatitur nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve, vendosi ta miratojë atë, duke e gjetur në përputhje me ligjin.

2. Trajtoi problemin e sistemimit të gjyqtarëve të disa gjykatave të rretheve gjyqësore, në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës Nr.5350, datë 11.06.2007, "Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre", duke diskutuar dhe duke iu përmbajtur projektvendimeve të paraqitura nga Ministri i Drejtësisë, si dhe sugjerimeve të bëra nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe, në përfundim, vendosi të miratojë projektvendimin përkatës "Mbi sistemimin e gjyqtarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore të suprimuara sipas Dekretit të Presidentit të Republikës Nr.5350, datë 11.06.2007, "Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre", që i bashkëlidhet këtij vendimi (kliko për të lexuar Vendimin), si Vendimi me Nr.215/2, datë 30.08.2007.

3. Trajtoi problemin e sistemimit nëpër gjykata të gjyqtarëve që kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës, si dhe të lidhur me të, problemin e propozimeve për emërimin si gjyqtarë dhe caktimin provizorisht nëpër gjykata të magjistratëve që kanë mbaruar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës dhe, në përfundim, vendosi të ngrejë një grup pune të përbërë nga: Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë dhe anëtarët Edmond Islamaj dhe Admir Thanza, i cili do të përgatisë një material lidhur me rekomandimet përkatëse, për këto dy probleme, që do t'iu shpërndahet anëtarëve javën e katërt të muajit shtator 2007, për t'u trajtuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

4. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË