Ankesa Online

Ankesa Online

 

Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 216, datë 28.09.2007

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenet 147 dhe 136, në Ligjin Nr.8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8136, datë 31.07.1996, "Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në mbledhjen e tij, të datës 28.09.2007,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Pasi diskutoi lidhur me vënien në dispozicion të vendeve vakante në gjykata të rretheve gjyqësore për të diplomuarit nga Shkolla e Magjistraturës, vendosi që në dispozicion të tyre të jenë këto vende:

1- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje 2 vende vakante
2- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës 1 vend vakant
3- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë 1 vend vakant
4- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin 2 vende vakante
5- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pukë 1 vend vakant
6- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec 2 vende vakante
7- Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë 1 vend vakant

2. Lista me vendet vakante, sipas pikës 1 të këtij vendimi t'i dërgohet Shkollës së Magjistraturës, në mënyrë që të diplomuarit të shprehin preferencën e tyre.

3. Gjykatat e rretheve gjyqësore të përfshira në prefekturat e Tiranës dhe të Durrësit, të konsiderohen si gjykata karriere që do të shërbejnë për promovimin e gjyqtarëve të gjykatave të tjera të rretheve gjyqësore dhe jo për emërimin fillestar të gjyqtarëve të rinj.

4. Diskutoi rreth çështjes së studentëve që kanë mbaruar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës dhe vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës emërimin si gjyqtarë dhe caktimin e tyre përkohësisht, për kryerjen e stazhit profesional, nëpër gjykatat e rretheve gjyqësore përkatëse.

5. Pasi diskutoi rreth problematikës së stazhit profesional që kryhet nëpër gjykata të rretheve gjyqësore nga studentët e vitit të tretë të Shkollës së Magjistraturës, vendosi t'i kërkojë kryetarëve të këtyre gjykatave, të mbajnë parasysh edhe sa me poshtë:

a) Përcaktimi i ngarkesës së punës dhe llojshmërisë së çështjeve nga kryetari i gjykatës të bëhet duke mbajtur parasysh kohën e qëndrimit të tyre në atë gjykatë, me një ngarkesë deri në 50 % të ngarkesës së gjyqtarit.

b) Shorti për magjistratët stazhierë të bëhet i veçantë, për grup çështjesh më pak të komplikuara.

c) Në çështjet e kthyera për rigjykim nga gjykatat më të larta magjistratët stazhierë të mos caktohen si kryesues (relatorë).

ç) Në një trup gjykues të mos përfshihet më shumë se një magjistrat stazhier.

d) Ngarkesa e magjistratëve të mbahet parasysh edhe në gjykimet e masave të sigurimit. Kur për gjykimin e tyre ndarja e punës bëhet me javë, brenda një jave të caktohen dy magjistratë stazhierë, në mënyrë që të shmanget ngarkesa e madhe e çështjeve.

6. Pasi shqyrtoi kandidaturat për një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë, vënë në dispozicion të gjyqtarëve të gjykatave që u suprimuan pas hyrjes në fuqi të Dekretit të Presidentit të Republikës Nr.5350, datë 11.06.2007, "Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre ", vendosi të transferojë zotin Avni Sejdi, si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë.

7. Pasi shqyrtoi kandidaturat për një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, vënë në dispozicion të gjyqtarëve të gjykatave që u suprimuan pas hyrjes në fuqi të Dekretit të Presidentit të Republikës Nr.5350, datë 11.06.2007, "Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre ", vendosi të transferojë zotin Flamur Kapllani, si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës.

8. T'i kërkojë Ministrit të Drejtësisë që, në kuptim të nenit 12, të Ligjit Nr.8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar dhe mbi bazën e gjendjes aktuale dhe studimeve të kryera, të fillojë procedurën për caktimin e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve të të gjitha hallkave gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.
9. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË