Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 217, datë 06.11.2007

Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 147, në Ligjin Nr.8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8136, datë 31.07.1996, "Për Shkollën e Magjistraturës së Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar, në Ligjin Nr.8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, në mbledhjen e tij, të datës 06.11.2007,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Shqyrtoi kandidaturat e të diplomuarve nga Shkolla e Magjistraturës dhe vendosi t'i propozojë Presidentit të Republikës caktimin e tyre përfundimtar si gjyqtarë, nëpër gjykata të rretheve gjyqësore.

2. Pasi diskutoi rreth programit për trajnimin vazhdues të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të apelit, për periudhën 2007-2008, të dërguar nga Shkolla e Magjistraturës, vendosi ta miratojë atë.

3. Pasi trajtoi me shqetësim ngjarjen e rëndë të vrasjes së një të mituri, e ndodhur në Rrethin e Dibrës, me propozimin e Presidentit të Republikës, vendosi që të verifikohet rasti në fjalë, nga inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke pasur në konsideratë gjithë problematikën juridike, ligjore dhe të përgatitet një relacion në lidhje me të.

4. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

5. Pasi shqyrtoi kandidaturat për një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, vënë në dispozicion të gjyqtarëve të gjykatave që u suprimuan pas hyrjes në fuqi të Dekretit të Presidentit të Republikës Nr.5350, datë 11.06.2007, "Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre", vendosi të transferojë zotin Agron Papajani si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec.

6. Pasi shqyrtoi kandidaturat për një vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, vënë në dispozicion të gjyqtarëve të gjykatave që u suprimuan pas hyrjes në fuqi të Dekretit të Presidentit të Republikës Nr.5350, datë 11.06.2007, "Për krijimin e rretheve gjyqësore, caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së tyre", vendosi të transferojë zotin Albert Spiro si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË