Programi i Transparencës

Informacion për Publikun

Vendim Nr. 219, datë 17.12.2007

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 147, të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001, "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë", i ndryshuar, të Ligjit Nr. 8436, datë 28.12.1998, "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, të Ligjit Nr. 8678, datë 14.05.2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë", i ndryshuar, të Ligjit Nr.9205, datë 15.03.2004 "Për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë", të Ligjit Nr.9110, datë 24.07.2003 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatave për Krime të Rënda", në mbledhjen e tij, të datës 17.12.2007,

Këshilli i Lartë i Drejtësisë:

 

1. Realizoi procedurën e verifikimit të mandateve të anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Zotit Shkëlqim Miri dhe Zonjës Dhurata Haveri të zgjedhur në këtë funksion nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore e datës 07.12.2007 dhe të Zotit Guxim Zenelaj i zgjedhur në këtë funksion nga Kuvendi i Shqipërisë me Vendimin Nr. 48, datë 13.07.2006 dhe pasi dëgjoi Raportin përkatës të përgatitur nga Komisioni i Verifikimit të Mandateve si dhe sugjerimet e anëtarëve të Këshillit, pasi verifikoi zgjedhshmërinë, pajtueshmërinë dhe ushtrimin në përputhje me ligjin, të detyrës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në përfundim konstatoi se, zgjedhja e gjyqtarëve Shkëlqim Miri dhe Dhurata Haveri si dhe juristit Guxim Zenelaj si anëtarë të këtij Këshilli është bërë në përputhje me ligjin.

2. Pasi trajtoi problemin e nevojës së plotësimit të vendeve vakant për kryetar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, pas diskutimeve, në përfundim vendosi, që të shpallë vendin vakant për kryetar dhe fillimin e procedurës së konkurrimit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pukë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë si dhe të rishpallë kërkesën për vendin vakant për kryetar në Gjykatën e Apelit Durrës dhe Gjykatën e Apelit Shkodër.

3. Pasi trajtoi problemin e një ndryshimi në Rregulloren " Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë " miratuar me Vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë Nr.195/2/a, datë 05.07.2006, shtuar dhe ndryshuar me vendimin Nr.207/1, datë 07.02.2007, ndryshimin që ka të bëjë me plotësimin e vendeve vakant për inspektorë nëpërmjet kandidatëve juristë jashtë sistemit gjyqësor, dhe që për këtë kategori ky ndryshim konsiston në ndryshimin e shifrës të shprehur në përqindje dhe, në përfundim vendosi të miratojë këtë ndryshim pra 25% sipas vendimmarrjes së fundit për zgjedhjen si inspektor

4. Pasi shqyrtoi propozimet e Zëvendëskryetarit për emërimin e Kryeinspektorit dhe katër inspektorëve në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vendosi që :

a- Të emërojë Zonjën Valbona Vata si Kryeinspektore në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
b- Të emërojë Zotin Qemal Zaimi si Inspektor në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
c- Të emërojë Zonjën Elda Vrioni si Inspektore në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
d- Të emërojë Zotin Lazër Sallaku si Inspektor në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
e- Të emërojë Zotin Hysen Saliko si Inspektor në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

5. Pasi shqyrtoi propozimin e Zëvendëskryetarit për ndryshimin e strukturës organike të Administratës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas sugjerimeve të anëtarëve të Këshillit, në përfundim vendosi ta miratoje këtë ndryshim.

6. Trajtoi problemin e shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese të pikës 5, të nenit 42, të Ligjit Nr. 8436, datë 28.12.1998 "Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar, parë ky problem me shqetësimin e ekzistencës së disa kërkesave për procedime disiplinore për disa gjyqtarë, të propozuara nga Ministri i Drejtësisë e të depozituara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në të cilat propozohet masa disiplinore "transferim në një gjykatë tjetër të të njëjtit nivel ose të një niveli më të ulët" dhe pasi dëgjoi shpjegimin e Ministrit të Drejtësisë për rikonsiderimin nga ana e Tij të këtyre kërkesave, në përfundim vendosi të përgatisë një raport dhe një relacion lidhur me rastet e këtyre procedimeve disiplinore për tu trajtuar në mbledhjen e radhës së Këshillit.

7. Pasi diskutoi për nevojën e kryerjes së një kontrolli në lidhje me vlerësimin e punës së kryer nga drejtuesit e gjykatave të rretheve gjyqësore dhe të apeleve (kryetarë dhe zëvendëskryetarë), në përfundim vendosi të kryejë këtë kontroll duke ngritur një grup pune për përcaktimin e tematikës dhe afateve të kontrollit, si dhe vendosjen e kufizimit në kohë të mandateve të kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve, të cilat do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës së Këshillit.

8. Trajtoi problemin e caktimit të një gjyqtari përfaqësues si anëtar dhe zëvendëskryetar për shkak të ligjit, në Komisionin e Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, si dhe të caktimit të një gjyqtari alternativ pranë këtij komisioni, dhe në përfundim vendosi :

a- Të konstatojë mbarimin e mandatit në këtë detyrë për Zotin Sokol Çomo dhe Zotin Rrahman Qinami.
b- Të caktojë si gjyqtar përfaqësues në Komisionin e Vlerësimit të Masave të Posaçme të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Zotin Bashkim Dedja dhe si gjyqtar alternativ Zotin Bujar Musta.

9. Pasi shqyrtoi projektdekretin e Presidentit të Republikës "Për disa ndryshime në dekretin Nr. 5351, datë 11.06.2007 "Për krijimin e seksioneve të veçanta penale për gjykimin e të miturve pranë gjykatave të rretheve gjyqësore " propozuar Presidentit të Republikës nga Ministri i Drejtësisë, në përfundim vendosi që mendimin e dhënë nga anëtarët e Këshillit për domosdoshmërinë e miratimit të këtij projektdekreti t'ia dërgojë Presidentit të Republikës.

10. Pasi shqyrtoi kërkesën për dorëheqje nga detyra e gjyqtares të Znj. Marsida Xhafellari, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, për të shërbyer në nivelet drejtuese ose ekzekutive të strukturave juridiko-profesionale të Ministrisë së Drejtësisë, vendosi pranimin e kësaj kërkese.

11. Shqyrtoi propozimet e Ministrit të Drejtësisë për delegime të gjyqtarëve dhe vendosi të bëjë delegimet sipas propozimeve përkatëse.

 

KËSHILLI I LARTË I DREJTËSISË